Rritet për gati 13% numri i përfituesve për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin dhjetor 2025, të cilat tregojnë rënie të numrit të përfituesve nga shumica e skemave pensionale dhe të mirëqenies sociale, krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.

Sipas ASK-së, rënia më e madhe është shënuar te përfituesit e pensioneve invalidore të punës, me një ulje prej 27.5 për qind. Po ashtu, rënie e ndjeshme është regjistruar edhe te pensionet e Trepçës (-20.6%), pensionet familjare (-10.6%), skema e ndihmës sociale (-10.3%), pensionet kontribut-paguese të moshës (-2.0%) si dhe te skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1.4%).

Megjithatë, të dhënat tregojnë rritje të numrit të përfituesve në disa skema specifike. Rritja më e lartë është shënuar te skema për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike, me 12.6 për qind më shumë përfitues krahasuar me një vit më parë. Rritje kanë shënuar edhe pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (8.6%), përkrahja financiare për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara (8.0%), pensionet bazike të moshës (7.5%) si dhe kompensimet për punëtorët e arsimit të viteve ’90 (5.1%), transmeton Zeri.info.

Po ashtu, rritje është vërejtur edhe te pensionet për personat me aftësi të kufizuara (4.5%), veteranët e luftës (2.7%), kompensimet për personat e verbër (1.2%) dhe pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës – TMK (0.8%).

ASK njofton se këto statistika pasqyrojnë ndryshimet vjetore në strukturën e përfituesve të skemave të mirëqenies sociale dhe shërbejnë si bazë për analizimin e politikave sociale në vend.

Për më shumë informata, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës./Zëri