Analistët: Manipuluesit e votave të përballen me masa ndëshkuese

Procesi i rinumërimit të votave dhe cenimi i votës së qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe nëse kjo situatë mund të çojë në një krizë të re politike në vend u trajtuan si temë nga analistë dhe njohës të proceseve politike lidhur.

Profesori Kadri Kryeziu vlerësoi se situata aktuale është e paprecedentë në praktikën zgjedhore dhe parlamentare në Kosovë. Sipas tij, ndonëse raste të izoluara kanë ndodhur edhe më herët, asnjëherë nuk janë paraqitur në këto forma dhe përmasa.

"Cenimi i votës është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës, po ashtu është edhe një vepër penale e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ata që e kanë cenuar votën e kanë vjedhur votën, kanë mashtruar, kanë bërë forma të ndryshme të demolimit të votës; atëherë i pret një masë ndëshkuese. Prokuroria e shtetit ka për detyrë, në mënyrë eksofisio, t'i ndjekë këta persona, sidomos ata zyrtarë që kanë shkelur këtë të drejtë njerëzore të garantuar me Kushtetutë”, tha ai.

Sipas tij, kjo situatë përbën devijim të vullnetit të popullit dhe shndërrohet në fenomen, pasi numri i votave të kontestuara ka tejkaluar çdo praktikë të mëparshme.

“Kjo është e paparë në praktikat tona parlamentare dhe zgjedhore. Doktrinat nuk e njohin këso situata të caktuara që kanë ndodhur te ne. Kjo është e keqe sepse është krijuar si fenomen; nëse do të ishin raste të izoluara, do të ishin tejkaluar disi. Por tani është fenomen për shkak se gama e këtyre numrave të votave është tejkaluar, gjë që nuk ka ndodhur deri më tash. Ky është devijim i vullnetit të popullit dhe i së drejtës për të votuar, një e drejtë fundamentale e garantuar me Kushtetutë, e cila nuk guxon të preket. Kjo është edhe vepër penale, edhe vepër morale, kështu që kemi bërë diçka që nuk është dashur të bëjmë, por secili përgjigjet personalisht dhe duhet të përgjigjen autoritetet politike dhe ato zyrtare të shtetit”, shtoi ai.

Në të njëjtën linjë, politologu Dorajet Imeri theksoi se procesi i votimit është një proces kompleks me shumë hallka, ku përfshihen institucione dhe individë të shumtë, gjë që e bën të ndjeshëm ndaj keqformimit të vullnetit politik të qytetarëve. Ai vlerësoi se dështimi ka ndodhur pikërisht aty ku kanë ndërhyrë partitë politike në procesin zgjedhor.

Sipas Imerit, problemet janë shfaqur në zinxhirin e gjatë të procesit zgjedhor, aty ku partitë politike kanë dorë.

"Unë vërej që kemi dështuar aty ku partitë politike kanë pak dorë, aty ku politika ka ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve. Kemi dështuar sepse në zinxhirin e gjatë të procesit zgjedhor dhe institucional kemi dështuar aty ku partitë politike kanë dërguar komisionerë, gjë që jam shumë i sigurt. Ne nuk kemi arritur që t’i ruajmë votat; komisionerët më gjasë i kanë manipuluar ato”, tha ai në Rtk.

Politologu Imeri theksoi se një diferencë prej rreth gjashtë mijë votash për një kandidat të caktuar nuk mund të konsiderohet gabim njerëzor dhe as të ndodhë pa pajtimin e më shumë se një individi.

"Shkalla e ndërhyrjes duhet të jetë brutale nëse arrin që t’i faturohen dikujt gjashtë mijë vota më shumë”, shtoi ai.

Ndërsa analisti Sadik Zeqiri ka deklaruar se manipulimet e votave nuk janë të rastësishme, por rezultat i një marrëveshjeje mes komisionerëve të të gjitha partive politike. Sipas tij, kjo është një dukuri shumë e dëmshme që rrezikon të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Zeqiri theksoi se ky fenomen duhet të ndalet urgjentisht përmes ndryshimit të Ligjit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke iniciuar plotësim-ndryshime në Kuvendin e Kosovës.

Ai sugjeroi rikthimin e modelit të listave të mbyllura, si në zgjedhjet e vitit 2000, ose aplikimin e sistemit “një votë për një kandidat”, me qëllim ruajtjen e votës dhe parandalimin e manipulimeve gjatë procesit zgjedhor.

Ndërkohë, analistja Fatime Hajdari tha se përtej aspektit moral, rasti i manipulimit të votës është vepër e dënueshme penale dhe se përgjegjësit do të duhet të përballen me drejtësinë.

Ajo theksoi se një veprim i tillë kërkon koordinim të gjerë dhe se ngjarja ka nxjerrë në pah dobësi serioze në procesin zgjedhor, pavarësisht vlerësimeve të deritanishme se Kosova ka arritur standarde të avancuara sa i përket mbarëvajtjes, numërimit, rinumërimit dhe ruajtjes së integritetit të zgjedhjeve.

Sipas Hajdarit nëse kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet lokale, atëherë ekziston rreziku që qytetarët të përfaqësohen nga asamblistë që nuk kanë fituar realisht votat dhe që nuk pasqyrojnë vullnetin e tyre.

Ajo e cilësoi këtë situatë shumë shqetësuese dhe kërkoi që shteti të ndëshkojë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij procesi, në mënyrë që rasti të shërbejë si shembull parandalues për të ardhmen.

Hajdari shprehu shpresën se Prokuroria dhe organet hetuese do ta zbardhin rastin, duke theksuar se ka ekzistuar një komunikim i strukturuar dhe se e gjithë skema është realizuar me kalkulim të plotë, duke mos qenë aspak aksidentale.