Sulmet masive ruse lënë Kievin pa energji dhe ngrohje në mes të dimrit

Rusia ka vazhduar sulmet masive ndaj Ukrainës me dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese. Si pasojë, rreth gjysma e banesave rezidenciale në Kiev kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ngrohje, në një kohë kur temperaturat në pothuajse të gjithë vendin zbresin rreth `10 gradë Celsius.

Sipas autoriteteve ukrainase, rreth 5.600 ndërtesa banimi dhe objekte të tjera, me dhjetëra apartamente secila, kanë mbetur pa ngrohje dhe pa furnizim me ujë të pijshëm.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka bërë të ditur se në rreth 80 për qind të ndërtesave kolektive ngrohja ishte rikthyer vetëm pak ditë më parë, pas dëmtimeve të shkaktuara nga sulmet masive të 9 janarit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se ka anuluar udhëtimin e planifikuar drejt Davosit në Zvicër për Forumin Ekonomik Botëror, pas sulmeve të fundit në Kiev. Ai ka thënë se do të marrë pjesë në Davos vetëm nëse dokumentet për garancitë e sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe plani për prosperitetin dhe rimëkëmbjen e Ukrainës janë gati për nënshkrim.

Përveç Kievit, forcat ruse kanë sulmuar edhe qytetin e Dnjeprit në Ukrainën qendrore, si dhe Odesën në jug të vendit.

Sipas raporteve zyrtare, nga e hëna deri të martën, në gjithë Ukrainën janë vrarë të paktën katër persona, ndërsa të paktën 33 të tjerë janë plagosur./rtk