Shkëndija barazon me Oleksandriyan në miqësoren e parë në Antalya

Skuadra e Shkëndijës nga Tetova ka zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në Antalya të Turqisë, në kuadër të përgatitjeve dimërore për pjesën pranverore të sezonit. Kundërshtare e kuqezinjve ishte ekipi ukrainas Oleksandriya, me të cilin u nda në barazim 1:1.

Shkëndija u paraqit më mirë në pjesën e parë të takimit, duke pasur më shumë kontroll të lojës dhe raste konkrete shënimi. Superioriteti u konkretizua në minutën e 33-të, kur Arbin Zejnullai realizoi golin e epërsisë, rezultat me të cilin u mbyll edhe fraksioni i parë.

Në pjesën e dytë, trajneri Jeton Beqiri bëri disa ndryshime në formacion, duke u dhënë më shumë minuta lojtarëve që kishin pasur më pak hapësirë gjatë sezonit vjeshtor. Pas këtyre ndryshimeve, skuadra ukrainase arriti të barazojë rezultatin në minutën e 64-të, me autor Johnathan, duke vendosur shifrat përfundimtare 1:1.

Kujtojmë se në miqësoren e parë të kësaj periudhe përgatitore, të zhvilluar në Shkup, Shkëndija kishte regjistruar fitore bindëse 3:0 ndaj AP Brera Strumicës.

Kuqezinjtë do të vazhdojnë serinë e ndeshjeve kontrolluese gjatë qëndrimit në Turqi sipas këtij orari:
– 24 janar, ora 14:00: Podbrezova (Sllovaki) – Shkëndija
– 28 janar, ora 14:00: Sarajevo (Bosnje dhe Hercegovinë) – Shkëndija
– 1 shkurt, ora 14:00: Ordabasy (Kazakistan) – Shkëndija

Këto takime do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar formacionin dhe për të rritur formën e skuadrës para rifillimit të garave zyrtare.