Edi Rama i përgjigjet ftesës së Trumpit për Bordin e Paqes: Shqipëria, gati të jetë anëtare themeluese

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ia ka përcjellë presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, përgjigjen zyrtare të ftesës për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, një nismë e re ndërkombëtare për promovimin e paqes globale.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka njoftuar se së shpejti ky angazhim do t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim, duke theksuar rëndësinë e këtij roli për vendin.

“#KrenarpërShqipërinë”, shkroi ai, duke vënë në pah partneritetin strategjik me SHBA-në, transmeton Zeri.info.

Në letrën drejtuar presidentit Trump, më 19 janar 2026, kryeministri Rama shpreh vlerësimin e tij për udhëheqjen amerikane në themelimin e Bordit të Paqes dhe e cilëson këtë nismë si një instrument të domosdoshëm për veprim të shpejtë dhe të përgjegjshëm në ndërtimin e paqes, në një kohë kur konfliktet vazhdojnë të dominojnë skenën ndërkombëtare.

Rama thekson se Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum formal deklaratash, por si një mekanizëm konkret i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale, ku koha, qartësia e mandatit dhe angazhimi personal janë elementë kyç për arritjen e paqes.

Ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të kontribuuar personalisht në këtë nismë, duke riafirmuar gjithashtu aleancën e palëkundur të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin historik të SHBA-së në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

“Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global”, thuhet ndër të tjera në letrën e kryeministrit Rama.

Në fund, Rama shpreh pritshmëritë e tij për të kontribuuar në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, duke e cilësuar këtë angazhim si një nder dhe përgjegjësi të lartë ndërkombëtare për Shqipërinë. /Zëri