Dita e tetë e rinumërimit në QNR: Deri tani janë rinumëruar 688, nga 2.557 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve, sipas vendimit të KQZ-së për vendvotimet e përfshira në këtë proces.

Sipas KQZ-së, nga fillimi i rinumërimit më 13 janar 2026, në ora 18:00, e deri më 20 janar 2026, në ora 10:00, janë rinumëruar gjithsej 688 nga 2.557 vendvotime, transmeton Zeri.info.

Rinumërimi deri më tani ka përfshirë vendvotime nga komunat: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skënderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152).

KQZ-ja bën të ditur se rinumërimi është përmbyllur plotësisht në gjashtë komuna.

Rezultatet e rinumërimit publikohen në mënyrë progresive në platformën zyrtare të KQZ-së për rezultate, në seksionin QNR > Rinumërim, pas përfundimit të numërimit të secilit vendvotim.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte planifikuar rinumërimi i 100% të vendvotimeve në 10 komuna: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug, ndërsa në 28 komuna të tjera ishte paraparë rinumërimi i 10% të vendvotimeve.

Me vendimin e dytë të KQZ-së, të marrë më 19 janar 2026, procesi i rinumërimit është zgjeruar edhe me vendvotime shtesë në këto komuna.