KQZ-ja drejt rinumërimit të plotë në gjithë Kosovën

Në një mbledhje të mbyllur të anëtarëve të partive politike që përfaqësohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Këshilli për operacione zgjedhore ka propozuar që procesi zgjedhor të shkojë drejt një rinumërimi të plotë të votave, pas parregullsive dhe mospërputhjeve të evidentuara gjatë rinumërimit të deritashëm në disa vendvotime.

Gjatë procesit të rinumërimit janë konstatuar dallime mes rezultateve të numërimit fillestar dhe atij të rinumërimit. Këto gjetje kanë ngritur dyshime për integritetin e procesit në disa qendra votimi, çka ka shtyrë përfaqësuesit politikë të kërkojnë një rinumërim të plotë për të garantuar transparencë dhe besueshmëri.

Ndërkohë, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës, ku në rend dite është paraparë pikërisht çështja e rinumërimit. Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se sot (e hënë, 19 janar 2026, ora 13:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. Në rend dite është raporti nga procesi i rinumërimit të deritashëm të vendvotimeve”, ka deklaruar Elezi.

Sipas burimeve të RTK-së brenda KQZ-së, raporti që do të prezantohet sot pritet të përmbajë detaje mbi shkeljet e identifikuara, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen e mandateve dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Për këtë arsye, rinumërimi i plotë po shihet si një hap i domosdoshëm për të shmangur kontestime të mëtejme dhe për të ruajtur besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Vendimi përfundimtar për zgjerimin ose jo të rinumërimit pritet të merret pas diskutimeve dhe shqyrtimit të raportit gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së.