Hykmete Bajrami jep dorëheqje nga pozita e nënkryetarës së LDK-së

Hykmete Bajrami ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky vendim erdhi pas mbledhjes së djeshme të LDK-së, ku Bajrami theksoi se ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të kësaj partie, raporton Zeri.info.

“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”, u shpreh ajo ndër tjera.

Sipas saj, ky vendim nuk ishte personal, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite.

“Përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës”, thuhet ndër tjera. /Zëri