Vjen në Kosovë ambasadorja e re e Estonisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi, duke i uruar mirëseardhje dhe sukses në detyrën e saj diplomatike.

Gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani e përgëzoi ambasadoren Maandi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të ndikojë në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë. Ajo vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Osmani theksoi se Kosova është e linjëzuar me politikat e Bashkimit Evropian, ndërsa falënderoi Estoninë për përkrahjen e saj të vazhdueshme ndaj aspiratave evropiane të vendit, përfshirë statusin e kandidatit për BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja, digjitalizimi, shërbimet publike elektronike, siguria kibernetike dhe integrimi euroatlantik, fusha në të cilat Estonia konsiderohet partnere e rëndësishme për Kosovën.

Sa u përket zhvillimeve rajonale, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar kontributin e Estonisë në sigurinë evropiane dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare. /Zëri