Osmani për dialogun me Serbinë: Pa njohje reciproke s’ka proces të suksesshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, me të cilin ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, proceset zgjedhore, situatën e sigurisë dhe raportet me Bashkimin Evropian.

Në një njoftim nga Presidenca pas takimit, thuhet se Osmani theksoi se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe në trajtimin e barabartë të palëve, duke theksuar se Serbia ka shkelur vazhdimisht Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, ka cenuar sovranitetin e Kosovës dhe ka kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, transmeton Zeri.info.

Ajo nënvizoi se procesi i dialogut duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në kuadër të integrimit evropian, duke paralajmëruar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton seriozisht procesin.

Tutje thuhet se presidentja Osmani informoi Sorensenin edhe për zhvillimin e suksesshëm dhe demokratik të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë, duke vlerësuar se ato dëshmuan pjekurinë demokratike dhe funksionimin e institucioneve sipas standardeve evropiane.

Po ashtu, ajo përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si hap të rëndësishëm drejt rikthimit të partneritetit të plotë me Bashkimin Evropian.

Duke folur për perspektivën evropiane të vendit, Presidentja Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për BE është një domosdoshmëri strategjike për Kosovën dhe për stabilitetin e rajonit, duke riafirmuar angazhimin e saj për avancimin e këtij procesi pa vonesa të mëtejme. /Zëri