Rashiq: Me shumë gjasë Vetëvendosja do ta formojë qeverinë me komunitetet

Me publikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të mbajtura në Kosovë më 28 dhjetor 2025, do të hapet rruga për konstituimin e Kuvendit dhe më pas për formimin e përbërjes së re të Qeverisë së Kosovës.

“Tani nuk ka pengesa që kanë ekzistuar më parë”, deklaroi në Nenad Rashiq, kryetar i partisë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”.

Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë, sipas vlerësimit të Nenad Rashiqit, mund të ndodhin brenda një dite, sepse, siç thekson ai, “tani nuk ka pengesa që kanë ekzistuar më parë”.

“Tani jemi në një situatë ku Vetëvendosja është fitues absolut, ka shumicën dhe, në këtë rast, me komunitetet pakicë mund të ketë 65, ndoshta edhe më shumë deputetë. Hipotetikisht, ata mund të kenë me siguri 68, që është shumicë; tani varet prej tyre nëse ka nevojë për parti të tjera politike”, tha ai në RTK2.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” e Nenad Rashiqit fitoi një vend në Kuvendin e Kosovës dhe ruajti statusin e partisë parlamentare.

“Me shumë gjasë Vetëvendosja do ta formojë qeverinë me komunitetet, gjë që është parë edhe më herët. Edhe Qeveria e mëparshme ishte e një kalibri të tillë”, tha ai.

Duke komentuar faktin se me iniciativën e tij Qeveria e Kosovës e ka zgjatur mandatin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave deri më 21 mars të këtij viti, Rashiqi theksoi se në mandatin e ardhshëm do të punojë në forcimin e kapaciteteve individuale të të gjithë qytetarëve, duke rikujtuar se është paraparë një program për 1.000 praktikantë të rinj nga profesione të ndryshme.