Deklarata skandaloze e analistes në emisionin “Zanat”: Gratë shqiptare janë dhunuar nga shqiptarët para luftës, njësoj si në luftë nga serbët

Një deklaratë skandaloze e bërë në emisionin televiziv “Zanat”.

E ftuara në studio, opinionistja Era Berisha, ka artikuluar një qëndrim thellësisht të rrezikshëm dhe ofendues, duke deklaruar se “Gratë shqiptare atë që e kanë pësuar nga serbët, e kanë pësuar para luftës nga shqiptarët”.

Kjo deklaratë përbën një relativizim të rëndë të krimeve të luftës, duke barazuar dhunën sistematike dhe të dokumentuar të ushtruar nga forcat serbe gjatë luftës me problematika të brendshme shoqërore, shkruan Zeri.info.

Një krahasim i tillë jo vetëm që është i pasaktë dhe i papërgjegjshëm, por edhe fyen rëndë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe familjet e tyre, duke cenuar dinjitetin dhe kujtesën kolektive.

“Në kohën e luftës janë bërë shumë dhunë fizike dhe seksuale të grave nga serbët, por në kohën e paraluftës dhe pasluftës kjo dhunë është bërë prej shqiptarëve”, deklaron Berisha në emisionin televiziv të 9 janarit 2026.

Deklarata e saj për habi kalon pa reagime nga opinionistet e tjera që ishin të pranishme.

Dhënia e hapësirës mediatike për deklarata që minimizojnë krimet e luftës përbën dështim serioz profesional. /Zëri