11 janari me temperaturat më të ulëta, ditët në vijim pritet rritje e tyre
Mbrëmja e 11 janarit dhe orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, sipas zyrtarëve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, shënuan temperaturat më të ulëta në vendin tonë, deri në -14°C, shoqëruar edhe me reshje, të cilat në disa zona shkaktuan vërshime. Në ditët në vijim e deri më 20 janar, pritet ngritje e temperaturave në vlera pozitive gjatë ditës.
Dita e sotme shënon një nga ditët më të ftohta të këtij dimri deri më tani. Temperaturat në orët e hershme të mëngjesit kishin zbritur deri në - 14 gradë Celsius në viset e larta malore. Ky mot dimëror konsiderohet i qëndrueshëm dhe pa ekstreme të pazakonta, i filluar me reshje të cilat sollën vërshime dhe temperatura të ulëta, thotë Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
“Nata e mbrëmshme ishte me -14 deri -15 në viset e larta sonte do të thotë ditë e hënë në mbrëmje do të kemi prap temperatura të ultë -9 deri -11 nën zero, mirëpo në ditët në vijim do të kemi temperatura të mesditës me vlera pozitive kështu që gjatë natës dhe pjesa e parë e ditës do të jenë kryesisht me ngrica prandaj kujdes pjesëmarrësve në komunikacion”, tha ai.
Reshjet enorme sipas meteorologjisë, deri në 300 litra për metër katror, sollën vërshime në vise të ulëta dhe lugina të vendit, ndërsa konditat klimatologjike janë normale për këtë periudhë të vitit, nënvizon Aliu.
“Tash për momentin pjesa jugore po shihet që ka reshje të borës ku në qytetin e Ferizajt ka qenë 11 cm reshje kurse në viset e larta atje në Brezovicë e më lartë kanë kaluar mbi 40 centimetra. Tash situata meteorologjike do të vjen duke u qetësuar dhe ditët vijuese do të jenë ti quaj ditë tipike dimërore me temperatura negative gjatë natës pozitive gjatë ditës”, shtoi Aliu.
Zyrtarë të IHMK-së njoftojnë se deri më 20 janar nuk do të ketë temperatura të ulëta. Megjithëse janari konsiderohet kulmi i të ftohtit dimëror, parashikimet flasin për stabilizim gradual të temperaturave në ditët në vijim, të cilat konsiderohen lehtësim, sidomos për qytetarët me gjendje të rënd socio-ekonomike dhe shëndetësore, për të cilët kalimi i pikut të dimrit sjell jo vetëm ngrohje në mot, por edhe më shumë siguri në përditshmëri./rtk