Tensionet SHBA-Iran, Teherani:I gatshëm për luftë, por i hapur për bisedime
Pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, se po shqyrton mundësitë e ndërhyrjes në Iran, Teherani zyrtar ka deklaruar se është i gatshëm për luftë, por gjithashtu mbetet i hapur për bisedime me Shtetet e Bashkuara.
Sipas zyrtarëve iranianë, në rast të një ndërhyrjeje ushtarake, Irani mund të shënjestrojë bazat dhe interesat amerikane në rajon, si dhe Izraelin. Megjithatë, autoritetet iraniane pohojnë se të gjitha kanalet e komunikimit me SHBA-në janë ende të hapura. Nga ana e tij, Presidenti Trump ka thënë se ekziston mundësia e një takimi me përfaqësues iranianë për të diskutuar zhvillimet, por nuk është përcaktuar qartë qëllimi apo data e një takimi të tillë.
Ndërkohë, situata brenda Iranit mbetet kritike. Protestat antiqeveritare vazhdojnë në të gjitha provincat e vendit, ndërsa raportohen të dhëna për një numër gjithnjë e më të madh viktimash. Sipas organizatave monitoruese, deri tani janë vrarë rreth 560 civilë nga forcat e rendit, ndërsa më shumë se 10,500 persona janë arrestuar. Numri i të arrestuarve besohet të jetë më i madh, pasi informacionet nga shumë zona të vendit janë të kufizuara.
Autoritetet iraniane kanë bllokuar për disa ditë internetin dhe po kufizojnë apo ndërpresin sinjalet telefonike, në një përpjekje për të penguar organizimin e protestave. Grupet për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se regjimi mund të kryejë ekzekutime të protestuesve të arrestuar për të frikësuar pjesën tjetër të popullsisë. Javën e kaluar, autoritetet iraniane shpallën organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestave si terroristë, duke hapur rrugë ligjore për shqiptimin e dënimit me vdekje ndaj tyre./rtk