S’ka pistë hetimi që bën ndërlidhjen e Jeton Buqukut me Demë Elshanin, Vuçetaj jep detaje

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka thënë ende nuk ka detaje për tentim vrasjen që ndodhi paraditen e së dielës në një lokal në Pejë e ku mbeti i plagosur Jeton Buquku, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo e ka hedhur poshtë pistën se kjo lidhet me Demë Elshanin.

“Nuk kemi indikacione që ka të bëj me Demë Elshanin, Jeton Buquku është hetuar edhe për vepra tjera penale jo vetëm në aspektin kundër jetës dhe trupit dhe gjitha këto kanë shkuar në Gjykatë dhe janë trajtuar. Sa i përket rastit të fundit nuk kemi arritur ende te motivi sepse ende nuk është intervistuar i dëmtuari dhe i njëjti është duke u trajtuar në QKUK dhe në rast se ka lidhshmëri sigurisht që do të hetohet. Mirëpo absolut nuk mund të aludojmë në këtë drejtim dhe nuk kemi indikacione për këtë pistë të hetimit”, tha ajo.

Sa u përket të dyshuarve, ajo tha se nuk ka informacione ende nëse janë recidivist dhe se deri në këtë fazë nuk është arritur të dihet nëse janë të njohur për organet e rendit.

“Sa i përket personave deri në këtë fazë nuk kemi arritur që të njëjtit janë recidivist, sigurisht që do të kërkohet e kaluara kriminale për shkak se nuk kemi arrit që kallëzimin penal me siguru nga ana e Policisë për shkak të veprimeve që janë duke u ndërmarrë. Por deri në këtë fazë nuk kemi arrit që të njëjtit janë të njohur për organet e rendit”, tregoi ajo. /eo