Seanca ndaj Nagip Krasniqit anulohet për shkak të avancimit të gjyqtarit

Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, e paraparë të mbahej sot në orën 09:30, është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se arsyeja e anulimit lidhet me avancimin e kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, i cili tashmë ka kaluar në Gjykatën e Apelit.

Sipas njoftimit, Gjykata për këtë rast do të caktojë së shpejti një gjyqtar të ri bartës, pas së cilës pritet të përcaktohet edhe data e re e seancës. Palët do të njoftohen me kohë për zhvillimet e mëtejme procedurale.

Nagip Krasniqi po përballet me akuza për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale në gusht të vitit 2024, thuhet se ai i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë elektrike në Kosovë pa pasur licencë përkatëse nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 2022 dhe 2023, Krasniqi ka miratuar dhe nënshkruar kontrata me këtë kompani, ndonëse ka qenë në dijeni se veprimtaria e tregtimit të energjisë me kompani të palicencuara është në kundërshtim me ligjin. Nga këto veprime, dyshohet se KEK-ut i është shkaktuar dëm financiar në vlerë rreth 3.2 milionë euro. /rtk