Ferizaj, reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në disa zona
Reshjet e vazhdueshme të shiut, të cilat kanë filluar që nga nata e kaluar, kanë shkaktuar vështirësi të mëdha si pasojë e përmbytjeve në disa zona të Komunës së Ferizajt.
Situata më e rëndë raportohet në fshatin Tërrn, ku kanalet kulluese kanë dalë nga shtrati për shkak të mosdepërtimit të ujërave në lumin Sitnica, në pjesën e komunës së Lipjanit.
Banorët e kësaj zone thonë se uji ka depërtuar në shtëpi dhe oborre, duke e bërë të vështirë jetesën e përditshme. Sipas tyre, disa familje janë të rrethuara nga uji dhe lëvizja është pothuajse e pamundur pa mjete mbrojtëse.
Ndërkohë, edhe fshatra të tjera të komunës po përballen me situatë të ngjashme. Gjendje e rënduar raportohet edhe në fshatin Koshare, ndërsa vërshime janë shënuar edhe në rrugën Ferizaj–Gjilan, në fshatin Sojevë, ku përkohësisht rruga është mbyllur për qarkullim.
Banorët dhe afaristët e kësaj zone shprehen të shqetësuar, duke theksuar se përmbytjet po përsëriten dhe po shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale, veçanërisht në biznese dhe ekonomi familjare. Ata kërkojnë një zgjidhje afatgjatë nga institucionet përgjegjëse.
Nga ana tjetër, autoritetet lokale bëjnë të ditur se janë duke ndërmarrë masa preventive për menaxhimin e situatës. Sipas tyre, ekipet përkatëse janë në terren dhe po monitorojnë gjendjen, me shpresën se situata do të stabilizohet në ditët në vijim, pavarësisht reshjeve të vazhdueshme.
Sasi të konsiderueshme uji janë vërejtur edhe në disa segmente të rrugës Ferizaj–Prishtinë, për çka autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe vozitësve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.