Situatë e rënduar në Shqipëri, 851 të evakuuar në Durrës, përmbytje tokash në disa qarqe

Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke sjellë rritje të prurjeve të lumenjve, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, ndërsa hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Si pasojë, janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Autoritetet vijojnë punën për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie në tokat bujqësore, ndërsa forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë funksionuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Lumi Drin vijon të jetë në rënie, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje të nivelit për shkak të shkarkimeve nga hidrocentralet Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte të përmbytura.

Ndërkohë, në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Në terren janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente. /euronews