Gjykata: 39 të pandehurit mbeten në ndalim deri në nxjerrjen e aktvendimit

Gjykata Themelore në Prizren ka sqaruar se, pas përfundimit të seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 39 të pandehurve, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar që të pandehurit të kthehen në qendrat e tyre të ndalimit deri në marrjen e vendimit lidhur me propozimin, përkatësisht kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas njoftimit të Gjykatës, seanca dëgjimore ka përfunduar në orën 22:10, ndërsa vendimi për mbajtjen e të pandehurve në ndalim është marrë në përputhje me nenin 162, paragrafi 8 të Kodit të Procedurës Penale. Ky nen përcakton se gjyqtari i procedurës paraprake, brenda 48 orëve nga arrestimi, mban seancë dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri do të mbahet në paraburgim, si dhe se në pritje të vendimit përfundimtar, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim.

Gjykata bën të ditur se, pasi të përpilohet vendimi i plotë në formë të shkruar mw 09.01.2026, publiku dhe mediat do të njoftohen zyrtarisht për vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake. Palët në procedurë do ta pranojnë vendimin përmes dorëzimit fizik dhe përmes adresave elektronike zyrtare