Komunikacioni i vështirësuar edhe në Malishevë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati
Komuna e Malishevës njofton se, si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë orëve të fundit, disa rrugë në territorin e komunës po përballen me vështirësi në qarkullim, megjithatë situata e përgjithshme mbetet e menaxhueshme.
Komuna njofton se ekipet e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës dhe stafi komunal janë në gatishmëri të plotë dhe në shërbim të qytetarëve. Në disa pjesë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave, transmeton Zeri.info.
Aktualisht, rrugët me kalim të vështirë janë:
Rruga “Hamdi Berisha” në Malishevë
Transiti afër lagjes Hoti
Rruga Malishevë–Banjë
Rruga Mirushë–Gurbardh
Rruga Lubizhdë–Turjakë
Ura në Lubizhdë
Një urë në një lagje të fshatit Damanek
Rruga për në fshatin Panorc (dy segmente me prezencë të ujit)
Furnizimi me energji elektrike po realizohet me reduktime në disa pjesë të qytetit, ndërsa furnizimi me ujë është i rregullt, por për momentin uji nuk është i përdorshëm për shkak të ndotjes nga vërshimet e ditëve të kaluara. Ekipet përkatëse janë në terren dhe po punojnë për sanimin e këtyre vështirësive.
Qytetarët luten të shfrytëzojnë rrugë alternative, të mos përdorin rrugët e përmendura dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur nga Policia e Kosovës për ndalim të qarkullimit. /Zëri