Aksidentohet dhe lë pasagjerin brenda në makinë, e merr rrjedha e përroit në Klos, RENEA nis kërkimin

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnatës në fshatin Dars të Klosit, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja pa njoftuar Policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej me të. Dyshohet se këtë të fundit e ka marrë rrjedha e përroit.

“Rreth orës 01:30, Policia është njoftuar se në vendin e quajtur “Ura e fshatit Dars”, një automjet tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e zonës. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit.

Nga veprimet hetimore, Policia identifikoi drejtuesin e automjetit, shtetasin A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos. Nga verifikimet dyshohet se në automjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, po nga Fullqeti, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit”, njofton Policia.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e 24-vjeçarit A. L., i cili dyshohet se pas aksidentit është larguar nga vendngjarja. Ai iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet intensive në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, 30-vjeçarit J. K.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.