U arrestuan ish-udhëheqësi dhe ish-drejtori i Financave për mashtrim, reagon BKS-ja
Prokuroria e Themelore e Prizrenit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke e kryer një aksion në disa lokacione të vendit, shkruan Zeri.info.
Nga ky aksion ku të dyshuar raportohet se janë mbi 40 persona, deri më tani janë arrestuar ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve Sami Mazreku, bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS Valon Berisha, dyshohen t’u kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro.
Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar BKS-ja, raporton Zeri.info.
Nga BKS-ja thonë se kanë bashkëpunuar me organet e rendit dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë duke ofuar të gjitha dëshmitë e dokumentacionet e nevojshme.
“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë. Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve. Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:
Të nderuar media,
Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) njofton opinionin publik se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS-ja ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.
Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.
Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin.
Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Byrosë.
Byroja Kosovare e Sigurimeve shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional në trajtimin e këtij rasti. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e keqpërdorimeve dhe mbrojtjen e interesit publik. /Zëri