Osmani: Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-së kundër regjimit narco-terrorist në Venezuelë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar publikisht në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me veprimet e ndërmarra kundër regjimit të Venezuelës, të cilin e ka cilësuar si narco-terrorist.
Në reagimin e saj, Osmani thekson se Kosova qëndron pa asnjë hezitim përkrah SHBA-së, duke vlerësuar lidershipin amerikan si faktor kyç në mbrojtjen e paqes globale dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe kartelëve ndërkombëtarë të drogës.
Ajo ka nënvizuar se presidenti Trump ka qëndruar në anën e popullit të Venezuelës, duke u përballur me regjimin e Nicolás Maduros, të cilin e ka përshkruar si një narco-shtet që kërcënon jo vetëm Amerikën, por edhe stabilitetin ndërkombëtar.
“Populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të sunduar nga ligji, e jo nga frika,” thuhet në reagimin e Presidentes Osmani, duke shtuar se narco-terrorizmi dhe autoritarizmi paraqesin rrezik serioz për paqen përtej kufijve shtetërorë.
Presidentja ka rikujtuar gjithashtu se Kosova e kupton më së miri rëndësinë e vendosmërisë amerikane, duke theksuar se çlirimi i Kosovës është dëshmi e drejtpërdrejtë e rolit vendimtar të SHBA-së. Ajo ka bërë thirrje për unitet të komunitetit transatlantik, duke vlerësuar se forca e tij qëndron në bashkimin rreth lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta demokratike.
“Në momentet kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku, sepse liria jonë kolektive varet prej saj,” përfundon reagimi i Presidentes Osmani në X. /Zëri