“Po përgatitemi për më të keqen”, ende s’dihet saktë numri i viktimave nga shpërthimi i zjarrit në një qendër skijimi në Zvicër

Disa persona kanë vdekur dhe të tjerë janë lënduar pas një shërpthimi në një bar në qytetin luksoz alpin të skive Crans-Montana, njoftoi policia zvicerane herët të enjten.

Rreth 100 persona ishin në bar në kohën e shpërthimit, tha policia.

“Ka pasur një shpërthim me origjinë të panjohur”, tha Gaetan Lathion, një zëdhënës i policisë në kantonin Wallis në Zvicrën jugperëndimore, për AFP.

“Ka disa të plagosur dhe disa të vdekur”.

Ai tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit në një bar të quajtur Le Constellation, i cili është i njohur për turistët, ndërsa ata festonin vitin e ri.

“Më shumë se njëqind persona ishin në ndërtesë dhe po shohim shumë të plagosur dhe shumë të vdekur”, tha ai.

Megjithëse, ende s’dihet saktë numri i të vdekurve nga ky incident tragjik, një gazetare e BBC, që po raporton nga vendi i ngjarjes, tha se “po përgatitemi për më të keqen”.

“Nuk i dimë ende shifrat e të vrarëve këtu – përveç faktit që policia thotë “disa”. Por po përgatitemi psikologjikisht, po përgatitemi seriozisht. Shikoni përmasat e këtij operacioni; shikoni barrierën e madhe që është vendosur atje ku po kryhet puna mjeko-ligjore. Ky ishte një bar i madh dhe kemi parë pamjet e zjarrit që e përfshiu tërësisht lokalin. Shpresojmë që numri i viktimave të jetë i ulët. Por po përgatitemi për më të keqen”, raportoi ajo.

Bari Constellation kishte kapacitet deri në 300 persona dhe dispononte edhe një tarracë të vogël – megjithëse ende nuk ka shifra të sakta se sa njerëz ndodheshin brenda natën e Vitit të Ri.

 

Zakonisht ai mbyllet në orën 02:00 sipas orës lokale, që do të thotë rreth 30 minuta pasi zjarri kishte nisur.

Nuk është e qartë nëse ishte planifikuar të qëndronte i hapur më gjatë për festimet e vitit 2026./Express