Vjen në skenë “Piter Pan”
“Piter Pan” titullohet premiera e re e Cirkut Kombëtar, që po shfaqet në skenën e ArTurbina në kryeqytet, një udhëtim magjik mes fantazisë, guximit dhe ëndrrave që nuk shuhen kurrë.
Kjo shfaqje bazohet në fabulën e Piter Panit dhe sjell plot surpriza për fëmijët e vegjël, që nga skenografia e kostumografia, deri te numrat e lartësive.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shfaqje, me fluturime akrobatike, numra sfidues dhe çaste magjike.
Shfaqja me drejtuese artistike, regji, libret dhe koreografi nga Olta Ahmetaj, u realizua me
pjesëmarrjen speciale të Trupës Profesioniste të Cirkut Kombëtar: Silvana Dumi, Fitnete Duro, Brunilda Demollari, Xhejms Kodra, Alketa Haxhiu, Eris Hoxha dhe Mario Elezi.
Ideja, grafikat dhe realizimi janë nga Andi Kotri, muzika nga Sajmir Çili dhe Alfons Zgjana, kostumografia në shfaqje është përgatitur nga Burbuqe Çoçka, skenografia nga Lirim Lila dhe efektet speciale nga Ilir Karaj.
“Piter Pan dhe aventurat në ishullin e Kurrkundit” vjen si një shfaqje e ndërtuar me përkushtim artistik, kushtuar fëmijëve, prindërve dhe gjithë familjes. Një rrëfim skenik, që ndërthur teatrin, muzikën, koreografinë dhe elementët e artit të cirkut, duke krijuar një përvojë kulturore të plotë, edukative dhe frymëzuese për publikun e të gjitha moshave.
“Piter Pan” u shfaq premierë më 26 dhjetor, ndërkohë që do të vijojë deri më 30 dhjetor në ArtTurbina.