Drejtuesit e katër partive të komuniteteve joserbe: Kurti i ka votat tona në Kuvend, do të jemi pjesë e qeverisë së re

Lëvizja Vetëvendosje, e cila udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të së dielës, duke iu ofruar 50-përqindëshit të rezultatit zgjedhor, shifër kjo më e lartë se sa bashkërisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare në zgjedhjet e së dielës, partia e Kurtit ka fituar 56 mandate, ndërsa tri partitë tjera (PDK+LDK+AAK) kanë fituar rreth 45 mandate në legjislaturën e re. Nisma e Fatmir Limajt nuk e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5%.

Për dallim nga zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, këtë herë LVV-ja lehtësisht mund ta formojë qeverinë e re me mbështetjen e disa subjekteve politike nga radhët e komunitetit joserb.

FrontOnline ka kontaktuar të hënën drejtuesit e disa partive nga radhët e komuniteteve joserbe, të cilat kanë shprehur gatishmëri për t’ia dhënë votat e tyre në Kuvend për formimin e qeverisë “Kurti 3”.

Emilja Rexhepi, ish-nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuese e komunitetit boshnjak, u shpreh se do të vazhdojnë bashkëpunimin me Albin Kurtin. Rexhepi ka qenë zv/kryeministre në qeverinë “Kurti 2”.

“Ne kemi qenë partnerë të përhershëm të koalicionit që nga formimi i qeverisë Kurti 1 dhe do të vazhdojmë së bashku në qeverinë ‘Kurti 3’. Ne patjetër do të jemi pjesë e saj”, tha ajo.

Rexhepi tha se është e kënaqur me rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje, pasi sipas saj ky rezultat nuk lë hapësirë që të tjerët të kushtëzojnë formimin e institucioneve.

“Jam e kënaqur që LVV-ja shënoi këtë fitore të madhe, që nuk ka shumë hapësirë që individët të na kushtëzojnë për formimin e institucioneve”, tha Rexhepi.

Nenad Rashiq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, parti serbe në Kosovë, ka folur për Front Online në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit me qeverinë e ardhshme “Kurti 3”.

Ai tha se do të bisedojë për mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen dhe që gjasat janë shumë reale që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Ne kemi bashkëpunuar deri më tani, do të bisedojmë sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me qeverinë e ardhshme, gjasat janë shumë reale që mund të jemi në koalicion me Vetëvendosjen”, tha Rashiqi.

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka konfirmuar se partia e tij do ta mbështesë qeverinë “Kurti 3” me dy vota.

“Ne kemi qenë në qeverinë ‘Kurti 2’ dhe sipas gjitha gjasave do t’i bëjmë edhe 2 vota për ‘Kurti 3’ dhe sa më shpejt të krijohen institucionet”, tha Damka.

Artan Asllani, nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, tha se partia e tij ka garuar për një vend të rezervuar dhe deri tani ka fituar ulësen në Kuvend. Sipas tij, votat e diasporës dhe me kusht do të vendosin fitoren ose humbjen e tyre.

“Ne garojmë për një vend të rezervuar dhe garën e kemi me një koalicion, i cili u formua prej tri subjekteve politike dhe sipas rezultatit ulësen e kemi fituar ne kundrejt koalicionit kështu qe rol të rëndësishëm luajnë votat e diasporës dhe votat me kusht, tash po presim rezultatin dhe këto e vulosin fitoren tonë apo edhe humbjen”, tha ai.

Asllani tha se do ta votojë qeverinë “Kurti 3” dhe shtoi se kjo nuk diskutohet, pasi edhe sipas Kushtetutës duhet të jenë pjesë e pozitës dhe të marrin përgjegjësi në qeveri.

“Ne do ta votojmë qeverinë ‘Kurti 3’, nuk diskutohet kjo çështje, ne si komunitete edhe me kushtetutë duhet me qenë pjesë e pozitës duhet me qenë pjesë e ndërtimit të qeverisë dhe me marrë përgjegjësi ne qeveri”, deklaroi Asllani.