Spahiu: LDK-ja s’ka lidership, votuesit e saj më shumë e shëmbëllejnë Kurtin me Rugovën sesa Abdixhikun

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka thënë se rënia e LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit është si pasojë e vendimeve të dëmshme që ka marrë kryesia e kësaj partie dhe deklaratat e dhëna.

Ai ka thënë se LDK-ja ka mungesë lidershipi.

“Mungesë e lidershipit. Kryesia e LDK-së ka bërë gabime të hatashme në qëndrime. Kanë dhënë deklarata të tmerrshme të cilat e kanë irrituar së tepërmi publikun”, ka thënë Spahiu në Tëvë1.

Ai ka thënë se kjo parti duhet ta gjejë një lider të fortë që udhëheq partinë, por që sipas tij brenda kryesisë së kësaj partie nuk ka.

“Në radhët e veta mundet me gjet një lider që mund t’i prijë që ja merr pushtetin Albin Kurtin. Me një kryesi të tillë, njerëz të tillë nuk mundet. Elektorati i LDK-së më shumë e shëmbëllen Alibin Kurtin si pasardhës të Ibrahim Rugovës se sa Abdixhikun ose dikë tjetër aty. Prandaj edhe votat e LDK-së kanë shkuar te Vetëvendosja”, është shprehur Spahiu.

Sa i përket PDK-së, ai ka thënë kjo parti ka ruajtur elektoratin e vet.

Ai ka thënë se AAK-ja nuk rrezikon të mos e kalojë pragun.

Spahiu ka komentuar votat që kanë marrë deri më tash kandidatët për deputetë, ka thënë se votat për Arian Tahirin, ish- kandidat për kryetar të Mitrovicës së Jugut ka thënë se nuk është befasi.

Ai ka thënë Tahiri është fytyra e Hashim Thaçit në PDK.

“Nuk është befasi, është fytyra e Hashim Thaçit në PDK, është si me kanë djali politik i Hashim Thacit. E pritshme që ka me qenë ndër më të votuarit”, ka thënë ai.

Tahiri nga votat e numëruara deri më tash është i dyti më i votuar në listën e PDK-së.

Sa i përket listës së LDK-së ai ka thënë se është befasi që Fadil Geci nuk është ndër më të votuarit.