Në ditën e zgjedhjeve ia mësynë Kosovës në mënyrë ilegale, kapen pesë serbë nga Policia e Kosovës
Pesë serbë janë kapur nga Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm, pasi që të njëjtit kishin kaluar ilegalisht kufirin.
Siç bën të ditur Policia e Kosovës për “Zërin”, të njëjtit janë ndaluar në fshatin Dobërçan të Gjilanit.
Sipas Policisë, të njëjtit pas dërgimit në gjykatë dhe pas shqiptimit të gjobës, janë dërguar në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.
“Me datë 28.12.2025 rreth orës 05:50 patrulla e policore nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Gjilan, në fshatin Doberçan, kanë ndalur një veturë me targa të Serbisë që kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale. Në veturë janë hasur pesë persona të cilët pas dërgimit në gjykatë dhe pas shqiptimit të gjobës, janë dërguar në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. /Zëri