Prizren: Qytetari i moshuar e gris fletëvotimin, pas refuzimit të KQZ-së për ndihmë në votim
Një incident ka ndodhur mesditën e sotme në shkollën “Mustafa Bakija” në Prizren, ku një qytetar i moshuar ka grisur fletëvotimin, pasi KQZ-ja nuk e ka lejuar ta ndihmojë bashkëshorten e tij gjatë procesit të votimit dhe më pas e ka shqyer fletëvotimin.
Lajmin për tëvë1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe e ka shoqëruar qytetarin në stacionin policor, ku është duke u intervistuar.
“Sot rreth orës 12:00, në qendrën e votimit në shkollën ‘Mustafa Bakija’ në Prizren, një qytetar i moshuar, në shenjë revolte pasi komisioni zgjedhor nuk e ka lejuar ta ndihmojë bashkëshorten e tij gjatë procesit të votimit, e ka shqyer fletëvotimin. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe e ka shoqëruar qytetarin në stacion policor, ku është duke u intervistuar dhe, në konsultim me prokurorin e Shtetit, do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore”, deklaroi Bytyqi.