Kosova voton, deri tani pa probleme serioze

Në Kosovë këtë të diel, më 28 dhjetor, po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të dytat me radhë brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj, pas zgjedhjeve të rregullta të 09.02, partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja.

Qendrat e votimit që janë mbi 900, janë hapur në ora shtatë e mëngjesit, disa me pak vonesa. Sipas KQZ-së, procesi i votimit po zhvillohet normalisht në tërë Kosovën, duke përfshirë edhe pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në zgjedhje ishte pak mbi 8%, njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vëzhguesit e zgjedhjeve nga rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim, DnV, thonë se vonesa në hapjen e qendrave të votimit ka pasur vetëm në 3% të vendvotimeve në nivel vendi.

Disa vonesa

"Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendvotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve. Vetëm në 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vendosja jo e duhur e kamerave ka qenë më e shprehur në komunat me shumicë serbe”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Ndërsa Kreshnik Radoniqi, kryetari i KQZ-së, tha se në gjashtë qendra ka pasur probleme edhe me energjinë elektrike. KQZ-ja ka kërkuar zgjidhjen e këtyre problemeve.

Të drejtë vote në këto, zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues, me gjithsej 2.614 vendvotime. Procesi i votimit për votuesit jashtë Kosovës u zhvillua një ditë më parë nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës në 18 shtete.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar KQZ-ja. Rreth 67 për qind janë burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit në Kosovë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë akredituar rreth 8600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor. Një delegacion i vëzhguesve është edhe nga Parlamenti Evropian.

Vëzhgimi i zgjedhjeve

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit po vëzhgon procesin e zgjedhjeve, duke u fokusuar siç thuhet në njoftim në "respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të votimit”.

Për të garantuar një proces të drejtë votimi pa probleme, janë të angazhuar qindra forca policore, ndërsa rreth 100 prokurorë janë angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e së dielës. Zyra e Prokurorit të Shtetit njofton se qëllimi kryesor i angazhimit të 100 prokurorëve është "mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor”.

"Ata do të jenë të shpërndarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të plotë të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme ligjore që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve”, thuhet në njoftim të Zyrës së Prokurorit.

Analistët politikë, nga ana e tyre, thonë se zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë karakterizohen nga fakti se janë zgjedhje të jashtëzakonshme, të thirrura për të zgjidhur bllokimin institucional të krijuar për më shumë se dhjetë muaj pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, kur asnjë parti nuk arriti të formojë qeverinë.

Prania ndërkombëtare në Kosovë përmes ambasadorëve të vendeve të QUINT-it vazhdimisht bën thirrje që zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të zhvillohen në mënyrë të rregullt, të lirë dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik për të ardhmen evropiane të vendit. /DW