Ndërpritet transmetimi i Big Brother VIP Albania 5 - produksioni del me njoftim zyrtar
Një situatë e pazakontë është shënuar mesditën e sotme gjatë transmetimit të Big Brother VIP Albania, duke ngjallur reagime dhe konfuzion te publiku.
Abonentët kanë raportuar se të dyja kanalet e dedikuara për transmetimin 24-orësh nga shtëpia janë bërë të paqasshme, duke sjellë një ndërprerje të plotë të pamjeve. Ekranet e zeza në të dyja linjat e transmetimit kanë ngritur pikëpyetje të shumta mes ndjekësve të formatit, të cilët janë mësuar me monitorimin e pandërprerë të banorëve.
Përballë reagimeve, produksioni ka reaguar përmes një njoftimi urgjent, duke sqaruar se ndërprerja ka ardhur si pasojë e problemeve teknike. Sipas njoftimit zyrtar, ekipi teknik ka qenë menjëherë në punë për rikthimin e sinjalit dhe normalizimin e transmetimit.
“Për shkak të disa problemeve teknike, sinjali nga shtëpia është ndërprerë. Ekipi teknik po punon për rikthimin e menjëhershëm të transmetimit,” thuhet në reagim.
Për të shmangur aludimet mbi ndonjë incident të mundshëm brenda shtëpisë, produksioni ka theksuar se monitorimi i banorëve ka vazhduar gjatë gjithë kohës dhe se ndërprerja ka prekur vetëm transmetimin për publikun.
“Vëllai i Madh ju njofton se banorët janë gjatë gjithë kohës nën monitorimin e kamerave,” përfundon njoftimi. /telegrafi