Aleksandër Lumezi propozohet për zv.kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar takimin e radhës për 29 dhjetor 2025, ku pikë e rendit të ditës është edhe përzgjedhja e zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.

Sipas letrës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për këtë pozitë e ka propozuar Aleksandër Lumezin.

Sipas agjendës së takimit të KPK-së, në pikën e shtatë të rendit të ditës është “Propozimi i u.d. të kryeprokurorit të Shtetit për zgjedhjen e zëvendëskryeprokurorit të kësaj zyre”.

Ndërkaq, në letrën që Qalaj ia ka drejtuar KPK-së më 24 dhjetor propozon Lumezin për këtë pozitë.

“ … me qëllim që të garantohet vazhdimësia institucionale, ushtrimi i plotë i kompetencave dhe përmbushja e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi, propozoj caktimin e prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, në pozitën e Zëvendës Kyreprokurorit të Shtetit”, thuhet në këtë shkresë.

Kujtojmë se Agron Qalaj është caktuar nga KPK-ja në pozitën e u.d. të kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 22 dhjetorit, pas miratimit të kërkesës së Besim Kelmendit për dorëheqje nga kjo pozitë.

Kush është Aleksandër Lumezi?

Lumezi kishte ushtruar pozitën e kryeprokurorit të Shtetit nga qershori vitit 2015 deri në prill 2022.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në nëntor 2017 kishte publikuar analizën me titull “Dosja e manipuluar e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezit”, e cila analizë kishte trajtuar rastin e ngritur në publik rreth dyshimeve për provim të falsifikuar të jurisprudencës nga Lumezi.

Më tutje, IKD-ja kishte publikuar shkrimin tjetër të titulluar “Hetimet parapenale dhe vendimi i kundërligjshëm i prokurorit Kujtim Munishi për dosjen e shefit të tij, Aleksandër Lumezi”, ku është sqaruar se si trajtimi i dyshimeve për provim të falsifikuar të jurisprudencës nga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ishte bërë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Gjithashtu, IKD-ja për këtë situatë përmes reagimit kishte kërkuar hetime të pavarura për dyshimet lidhur me dosjen e manipuluar të Aleksandër Lumezit mbi dhënien e provimit të jurisprudencës përmes krijimit të një ekipi të prokurorëve të EULEX-it me prokurorë amerikanë, britanikë dhe gjermanë

Po ashtu, IKD-ja përmes raportit me titull “Anëtarë të KGJK-së dhe KPK-së vazhdojnë të marrin shtesa e të avancohen në kundërshtim me ligjin” e në të cilin ndër të tjera ishte theksuar se si Lumezi kishte avancuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit edhe prokurori Bahri Hyseni, vetëm disa javë pasi të njëjtit i kishte skaduar mandati si kryesues në KPK.

Përmes analizës tjetër që IKD-ja kishte publikuar me titull “Drejtësia me spektakle arrestimesh po cenon sigurinë juridike të qytetarëve dhe po dëshmon kapjen e sistemit të drejtësisë”, ishte theksuar se si Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në shumë raste kishte mbrojtur dhe përkrahur kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, nën dijeninë e të cilit është kryer edhe arrestimi i Kryetarit të Komunës së Istogut.

Po ashtu, Organizatat e Shoqërisë Civile kishin reaguar në përkrahje të protestës: “Shkarkim kryeprokurorit, veting gjyqësorit”, përmes të cilit pas dorëheqjes së ish-prokurorit special, Elez Blakaj kishin kërkuar më pas dorëheqjen e Lumezit nga pozita e kryeprokurorit të Shtetit.