Si është të festosh Krishtlindjet në një vend ku kjo është e ndaluar?

Kur Il-yong Ju ishte fëmijë, diçka e çuditshme ndodhte në fshatin e tij të vogël në Korenë e Veriut çdo 25 dhjetor.

Gjyshi i tij e vizitonte dhe e dërgonte në male për të prerë një pishë. Ai e sillte në shtëpi dhe në degët e saj vareshin toptha të vegjël pambuku.

Në shumë vende, ky është një ritual i zakonshëm, por në Korenë e Veriut, 25 dhjetori është thjeshtë një ditë e zakonshme meqë Krishtlindjet janë të ndaluara, shkruan Sky News, transmeton Zeri.info.

Teksa Ju rrëfen për këtë thotë se “Në shtëpinë time, ne thjesht festonim atë lloj gjëje. Por nuk e dinim se për çfarë bëhej fjalë në atë ditë; thjesht çdo 25 dhjetor, gjyshi im na kërkonte ta bënim këtë”.

“Me shtypjen e Krishterimit në Korenë e Veriut, askush nuk e dinte origjinën e vërtetë të traditës dhe familja nuk u përball me pasoja”, tha Ju.

Ai shpjegon se në fshatin e tij ky festim ishte i mundur, sepse kishte vetëm 30 familje dhe ishte shumë i izoluar nga kryeqyteti.

Ju thotë se të dhënat e para iu ofruan nga transmetimet ilegale nga radiot përtej kufirit në Korenë e Jugut.

“Gjyshi im na mësoi ‘hej nip, vendet e tjera përveç Koresë së Veriut, çdo 25 dhjetor, bëjnë këtë lloj peme dhe festojnë këtë ditë’”, u shpreh ndër të tjera koreani.

Ai rrëfen se duke mos e ditur origjinën e kësaj tradite familja e tij vendoste hapur pemën të cilët e quanin “Yolka”, që do të thotë një pemë e vendosur për të shënuar vitin e ri në botën rusishtfolëse.

“Ne rrezikonim jetën tonë, duke dëgjuar këto transmetime në radio nga Koreja e Jugut. Nëse do të kapeshim, do të dërgoheshim në kampe të burgosurish politikë ose do të ekzekutoheshim, sepse transmetimet ishin të krishtera.

Kështu që çdo herë e mbulonim dritaren me një batanije dhe e ulnim volumin për të mos lejuar që dikush të dëgjonte”, rrëfen Ju për Sky News, transmeton Zeri.info.

Ai vazhdon duke thënë se këto transmetime radiofonike patën ndikim të madh në familjen e tij.

“Ajo radio ishte ajo që e motivoi babanë tim të arratisej nga Koreja e Veriut. Ai iku i pari.

Pastaj na dërgoi një ndërmjetës, unë, nëna dhe motra ime ikëm në tetor të vitit 2009”, rrëfen ndër tjera Ju. /Zëri