Turqia arreston 115 anëtarë të ISIS-it, planifikonin sulme për Vitin e Ri
Autoritetet turke thonë se kanë penguar sulme të planifikuara në festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, pasi arrestuan më shumë se 100 anëtarë të dyshuar të ISIS-it.
Bastisje masive u kryen në 124 adresa në të gjithë Stambollin, ka njoftuar kryeprokurori i kryeqytetit, me ç'rast u sekuestruan armë zjarri, municione dhe "dokumente organizative".
Zyrtarët thanë se mbështetësit e ISIS-it kishin planifikuar në mënyrë aktive sulme në të gjithë Turqinë këtë javë.
Policia arrestoi 115 të dyshuar, por përpjekjet janë duke vazhduar për të gjetur 22 të tjerë, thuhet në një deklaratë zyrtare.
Zyra e prokurorit tha se të dyshuarit ishin në kontakt me operativë të ISIS jashtë Turqisë.
Njoftimi vjen dy ditë pasi agjentët turq të inteligjencës kryen një bastisje kundër grupit në kufirin Afganistan-Pakistan.
Një shtetas turk, i cili dyshohet se ka mbajtur një rol të lartë në krahun e ISIS-it që vepron në rajon, u arrestua dhe u akuzua për planifikimin e sulmeve kundër civilëve.
Ndryshe, shërbimet e sigurisë së Turqisë shënjestrojnë rregullisht njerëz që dyshohen për lidhje me ISIS-in.
Vendi ndan një kufi prej 900 km me Sirinë, ku grupi vazhdon të veprojë në disa pjesë të vendit.
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili ka lidhje të ngushta me qeverinë turke, është zotuar të punojë me SHBA-në dhe Evropën për të çrrënjosur elementët mbijetues të ISIS-it. /Telegrafi