SHBA-ja miraton pilulën Wegovy për humbje peshe

Autoriteti amerikan për Ushqimin dhe Barnat (FDA) ka miratuar versionin në pilulë të ilaçit për humbje peshe Wegovy, njoftoi kompania farmaceutike Novo Nordisk.

Ky është ilaçi i parë i këtij lloji në formë tablete që merr miratimin e FDA-së, duke shënuar një epokë të re për trajtimet kundër mbipeshës.

Prodhuesi danez Novo Nordisk bëri të ditur se pilula, e cila merret një herë në ditë, është një alternativë më e përshtatshme krahasuar me injeksionin dhe ofron të njëjtin efekt në humbjen e peshës.

Ndërkohë, barna të tjerë me efekte të ngjashme, si Ozempic, janë miratuar fillimisht për trajtimin e diabetit të tipit 2.

Sipas Novo Nordisk, gjatë provave klinike pilula Wegovy ka treguar një humbje mesatare të peshës prej 16.6%. Rreth një e treta e 1,300 pjesëmarrësve në studim kanë humbur 20% ose më shumë të peshës trupore.

Pilula pritet të dalë në tregun amerikan në fillim të janarit 2026.

“Pacientët do të kenë një pilulë të përditshme dhe të përshtatshme, që mund t’i ndihmojë të humbin po aq peshë sa injeksioni origjinal Wegovy,” tha Mike Doustdar, shefi ekzekutiv i kompanisë.