Punëtorët e KEK-ut shpalosin “surprizën”, kërkojnë pagë mesatare 1.100 euro

Punëtorët e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e kanë nisur ndryshe protestën e sotme para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, duke lëshuar një deklaratë të Kryeshefit ku dëgjohet të thotë se paga mesatare në KEK është më e larta prej ndërmarrjeve publike.

“KEK-u vazhdimisht ka pas një rritje të pagave çdo vit, por këtë vit e kemi më sfiduese, mirëpo e dimë që edhe paga mesatare në KEK është më e larta prej ndërmarrjeve publike”, dëgjohet të thotë kryeshefit.

E për këtë kryetari i Sindikatës së Re të KE-utK, Nexhat Llumnica, ka thënë se ky është një mashtrim duke ironizuar se fjala e kryeshefit nuk shkelet dhe se paga mesatare për ta duhet të jetë 1 mijë e 100 euro.

“Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës jo vetëm që nuk është i interesuar të zgjedh kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, por po na thotë që i keni pagat më të larta në Kosovës. Sigurisht se ai po e mendon shërbyes civil sikurse ndërmarrjet publike e aq më larg KEK që sot vdesin një për qind e stafit. Kreyshefi i KEK-ut na tha që i keni mbi 1 mijë e diçka euro pagë mesatare. Ne sindikata e RE e KEK e dimë që mesatarja e pagës bazë është rreth 750 euro. Kam thënë që kam një surprizë, e ajo surprizë është mos me ia shkel fjalën kryeshefit, pra nga këtu ne kërkojmë 1 mijë e 100 euro pagë mesatare. Për të mbetur kjo pagë mesatare 1 mijë e 100 euro, duhet të shtohen edhe 350 euro për secilin punëtorë në bazë të pagës mesatare. Prandaj nga këtu kjo kërkesë do të jetë legjitime dhe nuk do ta anashkalojmë asnjëherë deri në grevë”, ka thënë ai.

Llumnica ka akuzuar tutje menaxhmentin për keqplanifikim dhe keqmenaxhim të KEK-ut.

“Kjo që po e bën menaxhmenti i KEK-ut po duket si për inat, po këta punëtorë janë të cilët e mbajnë prodhimin. Ne shpeshherë kemi punuar pa menaxhment fare. Na u është thënë se performanca është e dobët, jam i bindur se performanca ka qenë shembullore, por keqplanifikimi dhe keqmenaxhimi nuk janë faj i yni”, është shprehur ai. /eo