Shtyhet me të nisur seanca ndaj të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc

Me të nisur, është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Jovan e Dragisha Viqentijeviqit, që akuzohen për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Për shkak të kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, është ndërprerë seanca fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku dy vëllezërit, Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, akuzohen për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq, tha se nuk ka vërejtje në përbërjen e trupit gjykues, por në për prokurorin Bekim Kodraliu, për të cilin kërkoi që të përjashtohet nga lënda, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vllajiqi kërkoi që Kodraliu të mos e marrë këtë personale.

Prokurori Bekim Kodraliu

Sipas tij, i mbrojturi i tij është arrestuar më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm 6 ditë pas kësaj, ka parashtruar kërkesë për mbledhje të provave më 6 dhjetor. Thotë se këtë kërkesë ia parashtroi prokurorit të shtetit dhe gjykatës dhe se provat ua dorëzoi të dyja palëve.

Avokati thotë se prokurori i atëhershëm ka qenë Halim Borovci, ndërkaq tani është Bekim Kodraliu. Vllajiqi pretendon se asnjë veprim nga provat që i ka propozuar, nuk është ndërmarrë.

 

“Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte që të bisedohet më së paku me 4 persona, që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Të vërtetohet nga cilat antena telefonike në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjale- kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe janë shfaqur në mënyrë shumë selektive. Nuk është treguar koha- që është shumë e rëndësishme”, u shpreh Vllajiqi.

Ai tha se prokurori e ka shkelur dispozitën e Nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë se është i obliguar që me kujdes t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo dëm të të pandehurit.

 

Më tutje, avokati tha se disa prova janë humbur përgjithmonë. Dhe se askush nuk është i obliguar t’i ruajë incizimet një vit nëse dikush nuk e urdhëron këtë. Andaj, sipas tij, janë shkel dispozitat e nenit 3 dhe 5 të KPP-së, të cilat fkasin për një proces të drejtë dhe të drejtën për mbrojtje.

Sipas tij, me gjithë shkeljet e pretenduara, nxiten dyshime për paanshmëri të prokurorit të shtetit, ngase siç thotë ai, veprimi i deritashëm nuk ka qenë i paanshëm.

Vllajiq shtoi se gjyqtari posa ta pranojë kërkesën për përjashtim, është i obliguar që të ndërpresë punën në lidhje me lëndën.

Po ashtu, ai theksoi se kërkesën për përjashtim e prokurorit Kodraliu, e ka dërguar edhe tek kryeprokurorit, ndërsa sot tek prokrori në fjalë dhe gjykatës, duke konsideruar se është kërkesë e bazuar dhe se pas vendimit të gjyqtarit do të vazhdojnë me procedurën.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq tha se i bashkëngjitet kërkesës së kolegut të tij. Tha se ka parashtruar kërkesë tek prokurori që të dëgjohen katër dëshmitarë, të mblidhen video-incizimet e kamerave nga dy objekte në Zubin Potok, të cilat pamje janë një orë para dhe një pas shpërthimit.

 

Por, sipas Deleviq, deri sot prokrurori nuk ka vepruar sipas kërkesës së tij, duke konsideruar kështu se është dëmtuar e drejta e tij për mbrojtje. Tha se krahas neneve të përmendura nga Vllajiq, prokrori ka shkel edhe nenin 47 të KPP-së.

Bazuar në të gjitha këto, tha se konsideron që kërkesa e avokatit Vllajiq është tërësisht e bazuar dhe i propozoi Gjykatës ta ndërpres këtë seancë derisa të sqarohet kërkesa.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, avokatja Jelena Krivokaqiq kërkoi që seanca të ndërpritet.

Më pas, prokurori Kodraliu tha se ndoshta mbrojtjes nuk iu pëlqen hetimi që ka zhvilluar, por theksoi se ai sulm ka qenë i përgatitur profesionalisht dhe i koordinuar në mënyrë të përsosur.

Sipas tij, provat që i ka propozuar mbrojtja i ka analizuar dhe dëgjuat edhe sot. Tha se komunikimet telefonike të të akuzuarit Jovan kanë qenë përmes sistemit telefonik të Serbisë dhe se ju kanë drejtuar autoriteteve serbe dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Por, prokurori thotë se përkundër kësaj, nuk kanë pranuar përgjigje nga ata.

“Ka qenë sulm që ka cenu direkt sigurinë kombëtare dhe në atë fazë s’kemi mund të vlerësojmë se kush është dëshmitar, kush vshtë i dyshuar në këtë rast penal. Hetimet i kemi zhvillu me partnerë ndërkombëtarë”, tha Kodraliu.

Më tej, ai theksoi se kanë konsideruar se në këtë fazë, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk paraqesin relevancë që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.

“Kolegu Vllajiq ka qenë edhe ish-prokuror në sistemin jugosllav dhe është njoftuar cilat janë bazat ligjore për përjashtimin e prokurorit. Më konkretisht neni 43 i KPP-së, i parasheh 5 arsye të cilat mund dhe është e obligueshme të përjashtohet prokurori”, tha ai, duke sqaruar këto rrethana.

Në fund, tha se i mbetet në kompetencë gjyqtarit nëse vendos për ndërprerjen e seancës.

Më pas, gjykatësi Vesel Ismaili mori vendim që të ndërpritet seanca, pasi tha se janë të obliguar të ndërpesin cdo veprim procedural derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të japë përgjigje. Andaj, për caktimin e seancës së radhës, presin deri në vendim të kryeprokurorit lidhur me kërkesën.