Kërkohet paraburgim për dy persona për marrje dhe dhënie të ryshfetit

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren që t’i caktohet masa e paraburgimit të pandehurve A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe ndaj të pandehurit B.C. (shtetas serb), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit”.

Sipas komunikatës, i pandehuri pandehuri A.K., me datë 22.12.2025, rreth orës 08:10 minuta, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

“I njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe i veshur me uniformë zyrtare i ka mundësuar B.C., hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë nga Policia e Kosovës, për mungesë dokumentacioni. Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar me veturën e tij ilegalisht kufirin bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren”, thuhet ndër tjera. /Zëri