Përditësohen vlerat e futbollistëve në Superligën e Kosovës – Arb Manaj dhe Giovanni më të vlefshmit

Faqja e specializuar e statistikave Trasfermarkt ka përditësuar gjatë ditës së sotme (e martë) vlerat e klubeve dhe lojtarëve në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Klubi i Dritës ka skuadrën më të vlefshme në kampionatin elitar të Kosovës me 29 futbollistë që vlejnë 7.50 milionë euro, i pasuar nga Ballkani me 22 futbollistë që vlejnë 6.25 milionë euro dhe Prishtina e treta me një vlerë ekipi prej 5.68 milionë euro.

Por, kush janë lojtarët më të vlefshëm në Superligën e Kosovës pas përditësimit të fundit të vlerave?

Sipas faqes së specializuar të transferimeve dhe statistikave Transfermarkt, mesfushori i Ballkanit, Giovanni dhe sulmuesi i Dritës, Arb Manaj janë lojtarët më të vlefshëm me vlerë prej 800 mijë eurosh.

Giovanni pati rritje prej vetëm 50 mijë eurosh nga vlerësimi i fundit, ndërsa Manaj pati një ngritje të madhe prej 350 mijë eurosh, pasi më parë vlerësohej vetëm 450 mijë eurosh.

Pas tyre vjen Muhamet Hyseni i Llapit i treti me 650 mijë euro, ndërsa Senad Jarovic (Gjilani), Raddy Ovouka (Drita), Albert Dabiqaj (Drita) dhe Valentin Serebe (Ballkani) kanë vlerë prej 600 mijë eurosh.

Pozita e tetë dhe nëntë mbahet nga Etnik Brruti (Malisheva) dhe Rron Broja (Drita) me vlerë prej 550 mijë eurosh, ndërsa Mario Ilievski (Prishtina), Arlind Aliu (Malisheva), Egzon Bejtullai (Drita), Almir Ajzeraj (Drita) dhe Almir Kryeziu (Ballkani) vlerësohen nga 500 mijë euro.

Në pozitën e 15-të renditet Laurent Xhylani (Malisheva) me vlerë prej 450 mijë eurosh, po aq sa vlen edhe Walid Hamidi (Ballkani). /telegrafi