Dhuna në shkolla, për 10 vjet 272 raste të raportuara - pesë mijë në realitet
Vetëm 272 raste të dhunës në shkolla janë raportuar nga vet institucionet arsimore brenda periudhës së viteve 2014 – 2024.
Ndërkaq në realitet si raste të trajtuara nga Policia e Kosovës kanë qenë mbi 5 mijë raste, ka njoftuar Avokati i Popullit në konferencën e fundvitit.
Në publikimin e raportit vjetor, drejtuesi i institucionit Naim Qelaj ka thënë se kjo mospërputhje është një nga problematikat kryesore vjetore sa u përket të drejtave të fëmijëve.
“Sipas të dhënave nga MASHTI nga 2014 deri më 2024, pra për 10 vjet shkollat kanë raportuar 272 raste të dhunës në shkolla. Ndërsa të dhënat nga policia në periudhën e njëjtë janë 5652 dhe një shpërputhje kaq e madhe e statistikave tregon seriozitetin e situatës dhe në mënyrë urgjente ndërhyrjen e institucioneve për të raportuar fillimisht rastet, pastaj gjetja e shkaktarëve dhe marrja e masave”, ka thënë ai.
Përveç kësaj çështje, Avokati i Popullit ka thënë se edhe pesha e madhe e çantave shkollore dhe mungesa e mekanizmave për shëndetin mendor të tyre kanë qenë disa nga shkeljet që janë hasur këtë vit.
“Aktualisht pesha e çantave shkakton probleme shëndetësore për fëmijët dhe evitimi i kësaj problematike vjen me ndërtimin e dollapëve në shkolla ose me reduktimin e teksteve shkollore e lehtësimin e çantave. Përndryshe ky është një problem që familjet përballen në vazhdimësi”, tha ai.
Qelaj ka thënë se këtë vit është shënuar rënie e dukshme e rekomandimeve, duke e bërë që vetëm 18% e tyre të zbatohen në mënyrë të plotë.
Ai ka thënë se me konstituimin e legjislaturës së re qeverisëse në vend do të rritet numri i zbatimit të rekomandimeve dhe ndoshta edhe rritja e tyre.
“Interesimi po zhvendoset nga të drejtat e njeriut te krizat e sigurisë që po ndodhin sot në botë. Kështu që në çdo situatë jo të zakontë po goditen të drejtat e njeriut e po pësojnë qytetarët. Në mungesë të vendosjes së prioritetit të të drejtave të njeriut ato po mbesin anash dhe po bëhen zinxhir deri te niveli më i ulët i administratës që të mos i marrin parasysh”, ka thënë ai.