Supremja shfuqizon disa dispozita të Statutit dhe Rregullores së UP-së

Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë padinë e B.P., duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar Nenin 153, paragrafi 3 dhe 4 të Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Po ashtu, u shpall i paligjshëm dhe u shfuqizua Neni 7, paragrafi 6 i Rregullores për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në UP.

Supremja ka konstatuar se janë të paligjshme dispozitat e Statutit të cilat përcaktojnë se nuk mund të emërohen kandidatët që kanë të punësuar në njësi akademike përkatëse familjarë dhe dispozitat e Rregullores për zgjedhjen e bashkëpunëtorit të jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë, që përcakton se me qëllim të shmangies së konfliktit të interesit dhe nepotizimit, nuk mund të angazhohen kandidatë që kanë të punësuar në njësi akademike familjarë.

Sipas Supremes, këto dispozita vendosin ndalesa absolute dhe automatike për angazhimin e kandidatëve që kanë familjarë të punësuar ose të angazhuar në njësinë akademike përkatëse, pa një vlerësim dhe identifikim konkret të konfliktit të interesit.

Pretendimet e paditëses:

Përmes padisë, paditësja ka pretenduar se neni 153 i Statutit të UP-së – Parimet e procesit të emërimit dhe avancimit, konkretisht paragrafi 3, i cili përcakton se: “Nuk mund të zgjidhen (emërohen), sipas dispozitave të këtij Statuti, kandidatët që kanë të punësuar në njësi akademike përkatëse persona në marrëdhënie familjare”, si dhe paragrafi 4 i po të njëjtit nen, i cili përcakton se “Marrëdhënie familjare, në kuptim të paragrafit 3 të këtij neni dhe me qëllim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe nepotizmit, konsiderohet raporti: bashkëshort ose person që bashkëjeton, i afërm në vijë të drejtë të gjakut pa kufizime, të afërm në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt, adoptues, të adoptuar, si dhe në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë”, tejkalojnë proporcionalitetin e nevojshëm për arritjen e qëllimit të deklaruar, respektivisht shmangien e nepotizmit dhe eliminimin e konfliktit të interesit.

Njëjtë ka pretenduar edhe për dispozitën e paragrafit 6, të nenit 7 të Rregullores ku përcaktohet se: “Me qëllim të shmangies së konfliktit të interesit dhe nepotizmit, në Universitetin e Prishtinës nuk mund të angazhohen kandidatët që kanë të punësuar apo të angazhuar në njësi akademike përkatëse persona në marrëdhënie familjare (në relacionin prind-fëmijë, vëlla-motër, motër-motër, vëlla-vëlla dhe anasjelltas)”.

Për më tepër, paditësja B.P. ka theksuar se këto masa janë të kundërligjshme në raport me legjislacionin në fuqi dhe bien gjithashtu ndesh edhe me Kushtetutën, e cila garanton barazinë dhe ndalon diskriminimin.

Sipas saj, në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit përcaktohet saktë se çfarë nënkupton konflikti i interesit.

“Pra, ligji e sheh konfliktin e interesit si një situatë konkrete, të lidhur me rrethana të caktuara dhe jo si një ndalesë paraprake absolute, me automatizëm, për individë që thjesht kanë lidhje familjare me persona të tjerë në një institucion. Me fjalë të tjera, ligji e sheh konfliktin e interesit si një situatë të caktuar, që duhet të vërtetohet rast pas rasti, dhe jo si një ndalesë të përgjithshme për individët që kanë lidhje familjare me persona të tjerë në të njëjtin institucion”, citohen në vendim pretendimet e paditëses.

Ndërkaq, thuhet se nenet e lartpërmendura të Statutit të UP-së, kanë vendosur një ndalim absolut dhe automatik, duke përjashtuar kandidatët nga mundësia e emërimit vetëm për shkak të ekzistencës së një lidhjeje familjare, pa u vërtetuar se kjo lidhje ka krijuar ose mund të krijojë një interes privat që ndikon në paanshmërinë e detyrës.

Në rastin konkret, thuhet se një kandidat i cili i plotëson të gjitha kriteret akademike dhe profesionale, privohet nga gara vetëm për faktin se ka një familjar të punësuar në njësinë akademike përkatëse, duke krijuar pabarazi mes kandidatëve. Theksohet se kriteri i parashikuar që kandidati të mos ketë familjarë të punësuar në njësinë akademike përkatëse është në thelb diskriminues.

Si pasojë, në vendim thuhet se paditëses iu mohua në mënyrë arbitrare e drejta për qasje të barabartë në punësim dhe për trajtim të barabartë në një procedurë konkurruese, duke e vendosur atë në një pozicion të pabarabartë vetëm për shkak të lidhjeve familjare.

Andaj, ka kërkuar të shpallen të paligjshme dhe të shfuqizohen dispozitat e sipërcituara të Statutit dhe Rregullores së UP-së.

Pretendimet e palës së paditur:

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës UP, në përgjigje në padi dhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor, ka kërkuar nga Supremja ta refuzojë kërkesëpadinë e paditëses, duke thënë se Statuti i UP-së është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për Arsimin e Lartë.

Më tej, thuhet se Supremja konsideron se Statuti i UP-së, nuk është akt i thjeshtë nënligjor, i nxjerrë nga pushteti ekzekutiv, por është aprovuar si mënyrë për zbatim të vet Ligjit të Arsimit të Lartë.

“Prandaj, Gjykata Supreme e Kosovës konsideron se: gjykatat e rregullta nuk mund të vlerësojnë pajtueshmërinë e kësaj norme me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse Gjykata Kushtetuese është autoriteti për të interpretuar përfundimisht përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën”, thuhet në vendim.

E paditura ka theksuar se Fakulteti i Mjekësisë ka shpallur konkurs më 30 maj 2025 për zgjedhjen, angazhim me honorar të personelit akademik për zgjedhjen bashkëpunëtori të jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë – Universitetin e Prishtinës. Kurse, pala paditëse kishte aplikuar për emërim asistent për bashkëpunëtor për ushtrime për lëndët: Oftalmologji në këtë Fakultet. Ndërkaq, e paditura derisa theksoi kriteret që janë paraparë për atë pozitë, ka shtuar se ka vepruar në harmoni me Statutin dhe Rregulloren.

“Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, duke iu referuar recensioneve dhe referateve të kandidatëve të paraqitur në Thirrjen Publike të shpallur për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime për vitin akademik 2025/26 me nr. 1/225 të datës 30.05.2025 dhe rregullores me Nr. 2/254 të datës 17.07.2024, thekson se kandidatët e tjerë, në raport me kandidatët e propozuar, nuk i plotësonin kushtet konform Statutit të UP-së dhe rregullores për procedurat vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në Universitetin e Prishtinës”, citohen pretendimet e të paditurës.

Aty thuhet se mosemërimi B.P. dhe kandidatëve të tjerë është bërë në bazë të vlerësimit të Këshillit të Fakultetit, Komisionit recensues dhe prezantimit të Komisionit për Kuadro dhe Shkencë, me qëllim të respektimit të akteve normative në fuqi.

“Lidhur me pretendimin e paditësit se nuk ka marrë përgjigje nga e paditura lidhur me ankesën e parashtruar, kjo nuk qëndron, sepse Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa ka shqyrtuar ankesën. Komisioni ka trajtuar me kujdes dokumentacionin dhe ka analizuar pretendimet e ankuesit, duke konstatuar se ankesa e të përmendurit është e pabazuar dhe nuk ka gjetur shkelje që të kontestonin refuzimin e emërimit në thirrjen përkatëse”, thuhet më tej.

Sipas të paditurës, nuk ka pasur asnjë shkelje procedurale ose ligjore në rastin e mosangazhimit të kandidates B.P. ka kërkuar që padia të refuzohet si plotësisht e pabazuar. Gjithashtu, të refuzohet kërkesa për anulimin e dispozitave për zgjedhjen e bashkëpunëtorit të jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë.

Vlerësimi i Gjykatës Supreme:

Sipas shkallës së tretë, nga shkresat e lëndës rezulton se Kuvendi i Kosovës, më 11 korrik 2024 ka miratuar Statutin e Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”. Kurse, aktin nënligjor normativ të kontestuar, e ka nxjerrë në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës dhe nenit 17, paragrafi 1, të Ligjit për Arsimin e Lartë. Më pas, Senati më 12 korrik 2024, bazuar në nenet 20.1, paragrafi 2.1 dhe 147, paragrafi 3.9 të Statutit të UP-së, miratoi Rregulloren e Procedurave Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës.

Pas shqyrtimit të aktit nënligjor normativ të kontestuar, Supremja konstaton se dispozita kontestuese bie ndesh me parimet dhe dispozitat ligjore.

Gjykata vëren se si Statuti ashtu edhe Rregullorja përbëjnë akte nënligjore normative, pasi janë nxjerrë në bazë të autorizimit ligjor dhe përmbajnë rregulla të përgjithshme dhe abstrakte me efekt të detyrueshëm.

Gjykata Supreme pas shqyrtimit të Nenit 153, paragraf 3 dhe 4 të Statutit të UP-së dhe nenit 7, paragraf 6 të Rregullores për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës, ka konstatuar se dispozitat në fjalë janë të paligjshme.

Sipas Supremes, këto dispozita vendosin ndalesa absolute dhe automatike për angazhimin e kandidatëve që kanë familjarë të punësuar ose të angazhuar në njësinë akademike përkatëse, pa një vlerësim dhe identifikim konkret të konfliktit të interesit.

Aty thuhet se kjo qasje shkel parimet e barazisë, meritokracisë, dhe ndalimin e diskriminimit të garantuara me Kushtetutë.

“Duke pasur parasysh se Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë dhe Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, parashikojnë mekanizma proporcionale dhe të rastit për shmangien e konfliktit të interesit, masat e parashikuara me Statut dhe Rregullore janë jo proporcionale, jo të nevojshme dhe cenojnë të drejtat e individëve për të konkurruar dhe për të ushtruar funksione akademike. Në këtë mënyrë, Gjykata arrin në përfundimin se neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të UP-së dhe neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr. 2/254 duhet të shfuqizohen”, thuhet në vendim.

Shkalla e tretë vlerëson se dispozitat e kontestuara tejkalojnë qëllimin legjitim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe nepotizmit, duke vendosur ndalesa të përgjithshme dhe absolute, pa marrë parasysh rrethanat konkrete të rastit.

Gjithashtu, kjo Gjykatë gjen se këto dispozita bien ndesh me parimin mundësive të barabarta për të gjithë individët për të konkurruar për pozita akademike, si dhe me parimet e meritokracisë dhe transparencës në procesin e angazhimit, të garantuara me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë për Arsimin e Lartë.

“Gjykata vlerëson se nenet 153 paragraf 3 dhe 4 të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr. 2/254 nuk përputhen me Kushtetutën, ligjet e aplikueshme dhe parimet e përgjithshme juridike, duke vendosur kufizime të papërshtatshme, joproporcionale dhe diskriminuese”, arsyeton Supremja.

Andaj, thuhet se këto dispozita duhet të shfuqizohen, në mënyrë që të garantohet respektimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, parimit të mundësive të barabarta dhe parimeve mbi meritat e pranimit në detyrë akademike.

“Kështu gjykata duke u bazuar në dispozitat ligjore të lartcekura, vlerësoj se dispozitat kontestuese të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe të Rregullores nr. 2/254 janë të paligjshme pasi bien në kundërshtim të qartë me parimet themelore të arsimit të lartë, të administratës publike dhe të procesit rekrutues në Republikën e Kosovës”, thotë vendimi.

Çdo kufizim që vendoset automatikisht vetëm mbi bazën e marrëdhënieve familjare, pa marrë parasysh aftësitë, meritën dhe profesionalizmin e kandidatëve, krijon një pengesë të padrejtë dhe bie ndesh me parimin e mundësive të barabarta, vlerëson Gjykata Supreme.

Aty thuhet se përjashtimi i një kandidati duhet të bazohet në një analizë konkrete të ndikimit të mundshëm mbi objektivitetin dhe paanshmërinë e detyrës akademike.

Edhe dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë, thuhet se saktësojnë se procesi i punësimit duhet të jetë i hapur dhe transparent, duke vlerësuar të gjitha kriteret objektive, përfshirë aftësitë profesionale, arsimimin dhe kontributin
shkencor.

Gjithashtu, Gjykata Supreme vlerëson se dispozitat e kontestuara bien në kundërshtim edhe me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Supremja po ashtu vlerëson se shfuqizimi këtyre dispozitave siguron respektimin e parimeve themelore të arsimit të lartë dhe administratës publike, duke garantuar se procedurat e punësimit dhe angazhimit të personelit akademik në UP do të jenë të hapura, të bazuara në meritë, mundësi të barabarta dhe integritet profesional, në përputhje me ligjin dhe parimet kushtetuese.

Më tej, thuhet se Statuti ka karakter nënligjor sepse përcakton procedura dhe rregulla të brendshme për emërime, avancime dhe funksionimin e njësive akademike, duke pasur bazë ligjore në Ligjin për Arsimin e Lartë.

“Gjykata thekson se nepotizmi dhe konflikti i interesit nuk janë nocione identike, dhe se ekzistenca e një lidhjeje familjare, në vetvete, nuk përbën automatikisht nepotizëm. Nepotizmi presupozon favorizim të padrejtë në procesin vendimmarrës, ndërsa në rastin konkret, dispozitat e kontestuara parandalojnë në mënyrë paraprake dhe absolute edhe situata në të cilat nuk ekziston asnjë ndikim real apo i mundshëm në procesin e vlerësimit”, thuhet në vendim.

Në fund, thuhet se aktet nënligjore nuk mund të krijojnë ndalesa materiale të reja që cenojnë të drejta themelore, përtej asaj që parashikon ligji.

Sipas vendimit të marrë më 10 dhjetor 2025, e paditura UP obligohet që t’ia kompensojë paditëses shpenzimet e procedurës administrative në shumën prej 320 eurove. /BetimipërDrejtësi