Raporti i IKD-së: Asnjë program politik nuk ofron qasje të plotë për qeverisje të mirë

Asnjë parti politike në programin e saj politik nuk ofron qasje të matshme për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit dhe që katër partitë, LVV, PDK, LDK dhe AAK, nuk përmendin as vettingun në program të tyre, por vetëm flasim për të nëpër debate televizive e fushata. Këto janë ndër gjetjet e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit në programet e partive politike “që u prezantua këtë të martë.

Sipas këtyre gjetjeve, AAK-ja renditet e para në vlerësimin e programeve politike.

Gëzim Shala, hulumtues në IKD, ka treguar se vlerësimi është bërë përmes 10 indikatorëve të ndarë në dy shtylla kryesore, që është ajo ë qeverisjes së mirë dhe e sundimit të ligjit.

“Ky raport nuk vlerëson oportunitetin apo, përkatësisht, adekuatshmërinë e zgjidhjeve të ofruara në programet e partive politike, nuk bën një analizë nëse ato janë adekuate apo jo, por tregon se sa ajo zgjidhje e supozuar është e prezantuar në mënyrë adekuate, e strukturuar, e buxhetuar, e përcaktuar në afate kohore etj., në mënyrë që të jetë një program real që pasqyron fusha specifike në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Vlerësimi është realizuar përmes 10 indikatorëve të ndarë në dy shtylla kryesore: në qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit. Në qeverisje të mirë është vlerësuar barazia gjinore, transparenca dhe llogaridhënia, depolitizimi i administratës publike, digjitalizimi dhe pavarësia e mediave. Ndërsa pesë indikatorët që ndërlidhen me sundimin e ligjit janë: reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, integriteti në fushën e prokurimit publik, vettingu në drejtësi dhe të drejtat e njeriut. Këta indikatorë janë aplikuar në mënyrë uniforme sipas një vlerësimi standard në raport me të gjitha programet politike dhe të njëjtët janë përzgjedhur duke u bazuar në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën, në obligimet që ka Kosova sipas Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe analizat e publikuara ndër vite nga ANA e IKD-së”, tregoi Shala.

Derisa përmend të gjeturat e raportit, Shala tregon se disa nga zotimet që jepen në debate televizive dhe fushata nuk janë fare në programet politike.

“Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se asnjë nga programet e partive politike nuk ofrojnë një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e fushës së qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit. Në shumicën e rasteve, angazhimet mbeten në nivel të përgjithshëm apo deklarativ, pa u shoqëruar me masa konkrete, mekanizma zbatimi, afate dhe rezultate të pritshme. Përndryshe, asnjë nga partitë politike nuk paraqet program të qartë dhe të strukturuar që tregon saktësisht se cili është programi i saj në fushën e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit. Bazuar në këtë vlerësim, shohim edhe një aspekt me rëndësi, që janë disa çështje të cilat po përmenden në debate televizive dhe në prezantime të partive, por që të njëjtat nuk janë të adresuara, e në disa raste nuk janë fare të përmendura në programe. Pra, ato që thuhen në debate nuk janë fare në programe”, nënvizoi Shala.

E një më shqetësuese është edhe ajo e sundimit të ligjit, siç është çështja e vettingut.

“Në fushën e sundimit të ligjit, gjetjet janë edhe më shqetësuese. Programet nuk ofrojnë programe të qarta për sistemin e drejtësisë. Çështjet e rëndësishme si vettingu në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe integriteti në fushën e prokurimit publik mbesin pothuajse jashtë programeve të partive politike. Edhe aty ku përmenden disa elemente, mbeten kryesisht në nivel deklarativ dhe pa strukturim të masave konkrete. Vettingu, për shembull, nuk përmendet nga asnjëra prej katër programeve të partive politike, ndonëse ka pasur një diskutim të madh për këtë çështje. Megjithatë, edhe pse në paraqitje publike përdoret si temë, nuk gjendet në katër programet politike”, bëri të ditur Shala.

Ai tregoi edhe renditjen e partive politike.

“Bazuar në poentimin e përgjithshëm prej 50 pikësh, AAK renditet e para me 13 pikë, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11 pikë, Lëvizja Vetëvendosje! (LVV) me 9 pikë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e fundit me 6 pikë. Këtu dallimet e partive politike janë relativisht të kufizuara dhe nuk nënkuptojnë që ndonjë program ofron zgjidhje të plota apo reformim të mirëfilltë. Diferencimet reflektohen në faktin se disa programe përmendin më shumë indikatorë sesa të tjerët, e jo domosdoshmërisht kemi të bëjmë me cilësinë apo thellësinë e qasjes programore të partive politike në programet e tyre”, tha Shala.

Drejtori Ekzkutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj u shpreh se kjo mund të jetë një strategji e partive politike për t’i ikur përgjegjësisë.

“Si duket, kjo është edhe strategji e partive politike për t’iu ikur përgjegjësisë. Ne, nëse nesër duam ta masim punën e tyre nëse vijnë në pushtet, nëse matemi me programet politike, mund të themi se nuk kanë obligime, sepse këto që përmenden në raport nuk janë në programet politike. Por ne duhet ta masim punën e tyre me atë çka kanë konstatuar në debatet televizive, atë që kanë premtuar në fushata. Për parti politike serioze, të cilat aspirojnë të udhëheqin një shtet, nuk do të duhej në asnjë rrethanë që programi politik të jetë shumë i dobët, ndërsa në fushata e debate televizive të premtohen “mrekulli” për mënyrën se si do të rregullohet jeta e qytetarëve dhe fushat e rëndësishme që lidhen me integrimin e Kosovës apo të ardhmen e vendit tonë”, tha Miftaraj.

Ndërsa Betim Musliu nga IKD tha se: “Rezultatet e këtij vlerësimi na tregojnë që asnjë prej programeve të partive politike nuk e ofron një qasje gjithëpërfshirëse të strukturuar, shumë në mënyrën se si paraqiten dhe mënyrën se si janë shkruar në programet e tyre. Në këtë raport do të shihni një vlerësim të strukturuar dhe krahasues të programeve politike të partive politike që janë pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Rezultatet e këtij vlerësimi na tregojnë që asnjë nga programet e partive politike nuk e ofron një qasje gjithëpërfshirëse të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit”.