Ushqimi për foshnja që shitet edhe në Kosovë, i kontaminuar me bakterin e rrezikshëm

Një sasi ushqimi për foshnja me një bakter të rrezikshëm është shpërndarë në tregjet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Siç ka njoftuar Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin i Komisionit Evropian (Rapid Alert System for Food and Feed – RASFF), në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut është shpërndarë një ushqim për foshnja, i kontaminuar me bakterin e rrezikshëm Bacillus Cereus.

Siç njofton RASFF, “Infant food” është prodhuar në Holandë dhe është shpërndarë në vend të ndryshme të BE-së, si dhe në Ballkan, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Megjithëse nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar, edhe pse Alert-i është publikuar në RASFF më 16 dhjetor, Qendra ALERT njofton konsumatorët për rrezikun e këtij produkti.

Nga analizat e kryera në Holandë, ka rezultuar pranian e Bacillus Cereus 580 cfu/gr., ndërkohë që nuk duhet të ketë porezencë të bakterit.

Bacillus Cereus është një bakter gram-pozitiv anaerob, i cili prodhon toksina. Ky bakter mund të gjendet në tokë, bimë dhe ushqim. Zakonisht shkakton sëmundje të zorrëve duke dhënë simptoma si të vjella dhe diarre. Këto simptoma shfaqen 1-6 orë pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar. Gjithashtu ai mund të bëhet shkak për infeksione serioze tek individët me imunitet të dobët dhe mund të shkaktojë septicemi, si dhe endoftalmit, të cilat mund të çojnë deri në humbje të shikimit.

Bacillus Cereus është i lidhur ngushtë me prodhimin e ekzoenzimave intestinale ose ekstraintestinale që dëmtojnë indet. Këto toksina të sekretuara përfshijnë katër hemolizina, tre fosfolipaza të ndryshme, një toksinë që shkakton të vjella dhe proteaza.