Arrestohet në Vushtrri personi i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, i cili ishte në kërkim lidhur me një rast të ndodhur në Vushtrri.

Sipas njoftimit të Policisë, më 27 nëntor 2025, në Stacionin Policor Vushtrri ishte raportuar një incident ku një person i dyshuar kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të ankuesit.

Gjatë këtij rasti, lëndime kishte pësuar një anëtare e familjes së ankuesit, e moshës së mitur.

Njësitet policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit ishin gjetur dy gëzhoja. Po ashtu, në vendbanimin e të dyshuarit, policia kishte gjetur dhe konfiskuar një armë të gjatë, e cila dyshohet se është përdorur në rast, si dhe 14 fishekë. Rasti ishte iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Pas veprimeve intensive hetimore, më 19 dhjetor 2025, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, një 58-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.

Pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme, me aktvendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.