“Shkodra Elektronike” publikon këngën “Fosforon”
Grupi “Shkodra Elektronike” ka publikuar të premten këngën e re “Fosforon”, një projekt muzikor dhe vizual që ndërthur muzikën elektronike me elemente të këngës shqipe.
Titulli dhe koncepti lidhen me idenë e dritës që shfaqet në errësirë, e cila reflektohet edhe në ndërtimin muzikor dhe videoklipin shoqërues.
Gegërishtja mbetet e pranishme si pjesë organike e gjuhës artistike të projektit, duke krijuar atmosferë të veçantë në tekstin e këngës. “Fosforon” shënon një zhvillim të mëtejshëm në strukturën dhe atmosferën e krijimeve të grupit.
Publikimi i këngës përkon me koncertin audiovizual që do të mbahet në hapësirën “MINUS1”, nën sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku publiku trajtohet si pjesë e përvojës audiovizuale. Në mbrëmje do të jenë edhe artistë të ftuar, përzgjedhur sipas estetikës së grupit.
Pas “Fosforon” dhe koncertit, grupi, i cili sivjet me “Zjerm” përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision”, pritet të vazhdojë me projekte të reja, koncerte dhe bashkëpunime në skenën muzikore rajonale dhe ndërkombëtare.