Facebook teston kufizimin e shpërndarjes së linqeve, përdoruesit pa abonim vetëm dy lidhje në muaj

Facebook ka nisur testimin e një politike të re që kufizon shpërndarjen e linqeve në platformë, duke i detyruar përdoruesit të paguajnë për të publikuar më shumë lidhje të jashtme. Vendimi pritet të ndikojë negativisht te mediat dhe botuesit online, edhe pse këta të fundit nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në fazën e testimit.

Kompania Meta njoftoi se po zhvillon një “test të kufizuar”, në të cilin përdoruesit që nuk kanë abonimin Meta Verified, me çmim që nis nga 9.99 paund në muaj, mund të shpërndajnë vetëm dy linqe të jashtme në muaj.

Testimi po zbatohet për një numër të kufizuar profilesh dhe faqesh që përdorin Professional Mode, një funksion i përdorur kryesisht nga krijuesit e përmbajtjes për të gjeneruar të ardhura nga postimet.

Edhe pse organizatat mediatike nuk janë pjesë e drejtpërdrejtë e këtij testi, ekspertët paralajmërojnë se masa mund të ndikojë ndjeshëm në shpërndarjen e lajmeve, pasi përdoruesit do të kenë më pak mundësi të ndajnë përmbajtje mediatike.

Mediat online kanë pësuar tashmë rënie të fortë të trafikut nga Facebook, pas vendimit të Metës në vitin 2023 për të ulur prioritetin e lajmeve dhe për të favorizuar videot dhe përmbajtjet virale me format të shkurtër. Sipas disa vlerësimeve, trafiku nga Facebook drejt faqeve të lajmeve në vitin 2024 ka qenë rreth 50% më i ulët krahasuar me një vit më parë, pavarësisht shenjave të lehta të rimëkëmbjes gjatë këtij viti.

Politika e re është pjesë e strategjisë së Metës për të nxitur përdoruesit të abonohen në Meta Verified, një shërbim që kushton nga 9.99 paund deri në rreth 400 paund në muaj, në varësi të paketës. Abonimi ofron shenjën e verifikimit, veçori shtesë për llogarinë dhe më shumë siguri.

Në njoftimet që disa përdorues kanë marrë nga Facebook thuhet: Duke filluar nga 16 dhjetori, disa profile Facebook pa Meta Verified do të kufizohen në shpërndarjen e dy postimeve organike në muaj. Abonohuni në Meta Verified për të shpërndarë më shumë linke dhe për të përfituar shenjën e verifikimit dhe përfitime të tjera.

David Buttle, themelues i kompanisë konsulente mediatike DJB Strategies, tha se Meta ka qenë prej vitesh në një tërheqje të qëllimshme nga përmbajtja e lajmeve.

“Pas ndërprerjes së pagesave për botuesit dhe bllokimit të linqeve të lajmeve në Kanada, është e qartë se lajmet nuk janë më pjesë e strategjisë së Metës”, u shpreh ai.

Sipas Buttle, ky test i ri përforcon zhvendosjen e platformës nga shpërndarja falas drejt monetizimit të shtrirjes së përmbajtjes, ndërsa kompania po fokusohet gjithnjë e më shumë te inteligjenca artificiale, pas dështimit të investimeve në metavers.

Nga ana e saj, Meta deklaroi se testimi synon të kuptojë nëse mundësia për të publikuar më shumë postime me linqe sjell vlerë shtesë për abonentët e Meta Verified. Në janar, kompania njoftoi gjithashtu se do të adoptonte një qasje më të personalizuar ndaj përmbajtjes politike, çka sipas analizave të Press Gazette dhe Similarweb ka sjellë rikthimin gradual të lajmeve në rrjedhën e postimeve të përdoruesve. Një nga mediat që ka përfituar më shumë nga ky ndryshim është gazeta britanike Express, e cila ka shënuar rritje prej 26% të trafikut social nga Facebook brenda një viti.