Hamza: Pa angazhimin tim, projekti për urën e re mbi Ibër nuk do të realizohej

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, tani kryetar i PDK-së dhe njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se projekti për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër nuk do të ishte realizuar pa angazhimin e tij të drejtpërdrejtë.

Sipas Hamzës, ideja për ndërtimin e urës ka lindur në zyrën e tij, menjëherë pas një takimi që kishte zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti. Ai ka theksuar se Komuna e Mitrovicës ka mbuluar shpenzimet për projektin teknik, ndërsa lejet për ndërtim janë lëshuar po nga ky institucion.

Hamza bëri të ditur se ndërtimi i urës kishte qenë i planifikuar edhe në buxhetin e Komunës, mirëpo meqenëse Qeveria e Kosovës kishte mjetet e nevojshme financiare, projekti është realizuar nga niveli qendror.