BE-ja miraton kredi 90 miliardë euro për Ukrainën, pas dështimit të marrëveshjes për asetet ruse

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh (79 miliardë funte; 105 miliardë dollarë), pasi nuk u dakordësuan për përdorimin e aseteve ruse të ngrira.

Vendimi u mor pas më shumë se një dite negociatash në samitin e zhvilluar në Bruksel. Sipas liderëve evropianë, marrëveshja do të mbulojë nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme.

“Kemi marrë angazhim dhe e kemi realizuar”, shkroi në platformën X presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke njoftuar se kredia do të garantohet nga buxheti i përbashkët i BE-së.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte kërkuar që BE-ja të përdorte rreth 200 miliardë euro asete ruse të ngrira. Megjithatë, Belgjika ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre fondeve, kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë ligjore, kërkesa që u konsiderua e papranueshme nga disa vende anëtare.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se do të ishte “e dobishme” që Evropa të rifillonte dialogun me presidentin rus Vladimir Putin.

“Është në interesin tonë si evropianë dhe ukrainas të gjejmë kuadrin e duhur për ta rihapur këtë diskutim”, tha Macron, duke shtuar se kjo mund të ndodhë “në javët në vijim”.

Kryeministri belg Bart De Wever u shpreh se vendimi për t’i dhënë Ukrainës një kredi, në vend të përdorimit të aseteve ruse të ngrira, shmangu “kaosin dhe përçarjen” brenda BE-së.

“Ne mbetëm të bashkuar”, theksoi ai.

Ukraina rrezikon të mbetet pa fonde në muajt e ardhshëm. Zelensky paralajmëroi se pa një mbështetje financiare deri në pranverë, vendi do të detyrohej të “ulë prodhimin e dronëve”.

Sipas vlerësimeve të BE-së, Ukraina ka nevojë për rreth 135 miliardë euro shtesë gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa mungesa e fondeve pritet të nisë në muajin prill.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kishte mbështetur planin për përdorimin e aseteve ruse, tha se vendimi për kredinë “dërgon një sinjal të qartë” drejt Moskës.

Rusia kishte paralajmëruar BE-në të mos përdorte fondet e saj, por kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se udhëheqësit evropianë duhej “të përballeshin me momentin”.

Marrëveshja i ofron Kievit një mbështetje jetike, në një kohë kur përpjekjet diplomatike janë intensifikuar, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po shtyn për një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Zyrtarë amerikanë dhe rusë pritet të takohen këtë fundjavë në Miami për bisedime të mëtejshme mbi një plan paqeje, sipas një burimi të Shtëpisë së Bardhë për agjencinë AFP. Mendohet se i dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, do të takohet me përfaqësuesit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Ndërkohë, Zelensky njoftoi se delegacione ukrainase dhe amerikane do të zhvillojnë bisedime të reja të premten dhe të shtunën në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se dëshiron që Uashingtoni të japë më shumë detaje mbi garancitë që mund të ofrojë për të mbrojtur Ukrainën nga një pushtim i ri. /abcnews