Deliu-Kodra: Kurrë më shumë se në qeverinë “Kurti” s’ka pasur korrupsion

Ish-deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se në pesë vjetët e fundit, përkatësisht gjatë qeverisë “Kurti”, Kosova është karakterizuar nga numri më i madh i aferave korruptive.

Ajo përmendi disa raste që, sipas saj, e dëshmojnë këtë situatë, përfshirë aferën e rezervave shtetërore, çështjet që lidhen me energjinë elektrike, si dhe rastet e Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit.

Deliu-Kodra akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se figura të rëndësishme të këtij subjekti politik janë përfshirë në këto afera.

Ish-deputetja tha gjithashtu se janë bërë emërime në institucione të rëndësishme përmes mesazheve telefonike, duke e cilësuar këtë si shkelje serioze të procedurave dhe të parimeve të shtetit ligjor.

“Unë kam qenë për mandate të tëra na Kuvendin e Kosovës dhe kam pasur rast të përcjellë të gjitha ato që i kemi parë secili. Asnjëherë më shumë se në mandatin e fundit nuk kemi pasur afera të njëpasnjëshme korruptive si me ato të rezervave shtetërore, si aferat me energji elektrike, ato të Martin Berishajt, Nagip Krasniqit e figura të rëndësishme të këtij subjekti politik [Lëvizja Vetëvendosje]. Pamë edhe mesazhet se si është vendosur në institucione të rëndësishme, të caktohen emra të kryeshefave me një mesazh telefonik”, tha Deliu-Kodra në Klan Kosova.