Spreji nazal pa medikamente, një armë e re kundër viruseve të frymëmarrjes

Një studim i ri shkencor sugjeron se një sprej nazal pa medikamente mund të jetë një mënyrë shumë efektive për të ndaluar përhapjen e viruseve të frymëmarrjes, si gripi dhe COVID-19, madje potencialisht më efikase sesa përdorimi i maskave.

Ky zbulim i ri hap rrugë për strategji parandaluese inovative kundër infeksioneve virale.

Sipas bashkëautorit të studimit, Nitin Joshi, profesor asistent i anesteziologjisë në “Brigham and Women’s Hospital” në Boston, spreji është zhvilluar pa përdorur ilaçe, por duke kombinuar përbërës që veprojnë në tre drejtime për të bllokuar mikrobet.

Ai shpjegon se spreji formon një strukturë të ngjashme me xhelin brenda hundës, e cila kap pikat e frymëmarrjes, imobilizon mikrobet dhe i neutralizon ato në mënyrë efektive, duke parandaluar infeksionin që në fazën fillestare.

Studiuesit e kanë quajtur këtë risi “spreji për kapjen dhe neutralizimin e patogjenit” (PCANS). Duke qenë se shumica e viruseve hyjnë në trup përmes hundës, kjo qasje synon të ndalë infeksionin në burimin e tij.

Ndryshe nga vaksinat, të cilat përgatisin sistemin imunitar për t’u mbrojtur, PCANS synon të bllokojë viruset para se ato të hyjnë në organizëm.

Në studimet e kryera në modele me minj, trajtimi profilaktik me PCANS tregoi rezultate mbresëlënëse.

Minjtë e trajtuar shfaqën mbrojtje të plotë ndaj infeksionit, ndërsa grupi i patrajtuar nuk pati asnjë përfitim.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten prova klinike te njerëzit për të konfirmuar sigurinë dhe efektivitetin e tij.

Ekipi po shqyrton gjithashtu përdorimin e këtij spreji për lehtësimin e alergjive. Studimi u publikua në revistën “Advanced Materials”. /Gazeta Shneta